MAShT-i dhe DMACC nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe presidenti i DMACC (Des Moines Area Community College), Robert Denson nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për themelimin e Akademisë së Arsimit Profesional në Kosovë, degë e Kolegjit DMACC të Iowas.
Ministri Bytyqi me këtë rast, është shprehur jashtëzakonisht falënderues për gatishmërinë që shteti i Iowas, në kuadër të krijimit të një partneriteti strategjik me Kosovën po e mbështet fushën e edukimit, tashmë përmes një bashkëpunimi konkret.
Ministri Bytyqi ka theksuar se, nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për themelimin e degës së Kolegjit DMACC në Kosovë, është një hap drejt ndryshimit të gjendjes së arsimit të lartë.
“Ardhja e një Kolegji prestigjioz nga shteti i Iowas është një lajm i jashtëzakonshëm për të gjithë ne, veçanërisht për të rinjtë tanë, të cilët do të kenë mundësi që në këtë Kolegj të marrin një edukim profesional çfarë e kanë të rinjtë në Iowas. Falënderoj DMACC për gatishmërinë që të përkrahë themelimin e këtij kolegji në Kosovë, të cilët janë të gatshëm të na ndihmojë për të pasur një kolegj siç e kanë edhe në SHBA”, ka thënë ministri Bytyqi.
Ndërsa, presidenti i Kolegjit (Des Moines Area Community College), Robert Denson, ka thënë se, DMACC është e specializuar në aftësimin e punëtorëve në kompani të ndryshme, duke shtuar se do të punojnë me institutet më të mira të Iowas, për të garantuar sjelljen e përvojave më të mira në Kosovë.
Denson u shpreh i gatshëm për të thelluar edhe më tutje bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fushën e edukimit, përmes projekteve të tjera.
Ndryshe, marrëveshja që është nënshkruar i ka hapur rrugë Kolegjit të njohur DMACC, i cili do të ketë profile profesionale të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës në Kosovë. Standardi i këtij Kolegji është në përputhje të plotë me ato që zhvillon Kolegji DMACC në Iowa.
Në kuadër të marrëveshjes parashihet që profesorë nga DMACC të trajnojnë profesorët tanë, të cilët do të jenë pjesë e Kolegjit.
/Epoka e re/