MAShT-i drejt anëtarësimit në COST
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur të hënën në takim konsullin e nderit të Kosovës në Austri, David Ungar-Klein, me të cilin ka biseduar rreth zhvillimeve aktuale në sektorin e arsimit në Kosovë dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fushën e shkencës dhe teknologjisë.
Ministri Bytyqi është informuar nga konsulli David Ungar-Klein, për hapat që ka ndërmarrë për anëtarësimin e Kosovës në programin e Bashkëpunimit Evropian në Shkencë dhe Teknologji (COST), ku Kosova do të pranohet si anëtare e parë fqinjë.
Anëtarësimi i Kosovës në COST, veç tjerash, hapë mundësi të bashkëpunimit të shkencëtarëve të vendit tonë me shkencëtarë eminentë të fushave të ndryshme.
Me këtë rast ministri Bytyqi, ka falënderuar Kleinin për mbështetjen në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat evropian të hulumtimit dhe shkencës.
Anëtarësimin e Kosovës si anëtare fqinjë në COST, ministri Bytyqi e ka vlerësuar si një rast të mirë që të rinjtë tanë të përfitojnë fonde për programe, me të cilat ata do të aplikojnë në kuadër të COST.