MAShT-i dhe Banka Botërore të kënaqur me zbatueshmërinë e projektit KESIP
Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (Baton Dushi nga kabineti i ministrit dhe Alush Istogu nga Departamenti për Arsim Parauniversitar), kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Bankës Botërore (Angela Demas, Blerim Saqipi dhe Mrika Aliu), ku është diskutuar për ecurinë e projektit KESIP.
Në këtë takim, përfaqësuesit e Bankës Botërore u shprehën të lumtur lidhur me ecurinë e projektit, ku u tha se krahasuar me muajt e mëhershëm, që kishte vështirësi të theksuara në zbatueshmërinë e projektit, kohëve të fundit kemi një qasje ndryshe të Ministrisë në funksion të përmbushjes së objektivave të planifikuara.
Shefi i kabinetit, Dushi, njëherësh u.d i koordinatorit të projektit, në emër të ministrit Bytyqi, tha se janë të kënaqur që kanë kaluar disa pengesa që kishin më herët dhe kjo është arritur falë angazhimit të përbashkët. “Ne si Ministri e Arsimit do të jemi shumë të përgatitur për sfidat që kemi përpara në kuadër të realizimit të objektivave që kemi për këtë vit”, ka thënë ai.
Gjithashtu, vlen të theksohet se Projekti i Bankës Botërore, kohëve të fundit nuk ka pasur asnjë pengesë në realizim, sidomos tek komponenta e granteve, që ka të bëjë me ngritjen e kapaciteteve të shkollave. Projekti KESIP i Bankës Botërore do të vazhdojë së zbatuari pa asnjë shkurtim fondesh.
/Epoka e re/