MAShT-i përkrahë zhvillimin e programit për edukim mjedisor
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për pasurimin e programit mësimor ekstra kurikular për nxënësit në Kosovë dhe me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve të shoqërisë civile me institucionet e vendit, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqri Bytyqi dhe drejtoresha e Green Art Center – Prishtina (GAC), Merlina Beu – Muçaj, kanë zhvilluar një takim pune ku kanë diskutuar për aktivitetet mjedisore në kuadër të programit të GAC-it për edukim mjedisor në institucionet arsimore.
Në këtë takim është veçuar rëndësia e aktiviteteve jashtë mësimore nëpër shkolla, roli i nxënësve dhe studentëve në ngritjen e vetëdijes qytetare në komunitetin e gjerë dhe aktivizmi qytetar.
Me këtë rast, ministri Bytyqi, ka ofruar mbështetjen e tij duke u shprehur se MAShT-i është i përkushtuar që në vazhdimësi t’i ofrojë mbështetje organizatave të shoqërisë civile me të cilat ndanë qëllimin e përbashkët, ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe edukimin e brezave të rinj me programe dhe aktivitete bashkëkohore me impakt për shoqërinë në Kosovë.
Përmes aktiviteteve të shumta që GAC-i implementon, synohet sensibilizimi i qytetarëve dhe edukimi i brezave të rinj për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe zbatimin e reformave të ndryshme që kanë nisur nëpër komuna në Kosovë.