MAShT-i në fazën finale të shpalljes së konkursit për tekstet e reja shkollore
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, së bashku me anëtarët e Këshillit të ekspertëve për programe dhe tekste shkollore, në një konferencë për media, kanë bërë me dije se MAShT-i është në fazën finale të shpalljes së konkursit për tekstet e reja shkollore.
Ata kanë treguar se tekstet e reja shkollore do të jenë të gatshme për përdorim në vitin shkollor 2019/2020.
Me këtë rast, ministri Bytyqi ka vlerësuar lartë punën e ekspertëve të Këshillit të teksteve shkollore, duke thënë se janë në rrugë të mbarë që mbi bazën e kompetencave ligjore të finalizojnë çështjen e teksteve të reja.
“Ne, mbi bazën e autoritetit ligjor kemi krijuar Këshillin e ekspertëve për tekste dhe mjete shkollore, të cilët e kanë bërë një punë të mirë dhe tani jemi në fazën finale të hapjes publike të konkursit për tekste të reja shkollore. Tekstet e reja do të jenë të gatshme që të përdoren në vitin shkollor 2019/2020, në të gjitha nivelet”, ka deklaruar Bytyqi, duke shtuar se konkursi për tekste të reja do të jetë publik, por do të ndahet në dy faza.
“Në fazën e parë do të ketë konkurs për nivelet 1, 6 dhe 10 dhe konkursi do të shpallet shumë shpejt dhe sipas planit dinamik parashihet që deri në tetor të bëhet dorëzimi i dorëshkrimeve për tekstet e reja, ndërsa faza e dytë e konkursit pritet të hapet në muajin korrik, ku do të përfshihen tekstet për klasat 2, 7 dhe 11 dhe që parashihet që në janar të dorëzohen dorëshkrimet për pjesën e dytë të librave”, është shprehur ai.
Ministri Bytyqi ka thënë se Këshilli i ekspertëve ka vendosur që për të lehtësuar punën e mësimdhënësve dhe nxënësve, duhet të hartohet edhe material shtesë dhe një udhëzues përdorimi.
Ai ka folur edhe për përshpejtimin e procedurave për dërgimin e Projektligjit për tekstet e reja shkollore në Kuvendin e Kosovës, finalizimin e teksteve të gjuhëve të huaja dhe gjetjen e një alternative për tekstet e shkollave profesionale.