MASHT: Përjashtimi nga EQAR-i nuk ndikon në njohjen e diplomave ndërkombëtarisht
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka garantuar se asnjë student nuk do të këtë problem me njohjen e diplomës në nivel ndërkombëtar apo pranim për regjistrim në universitetet evropiane dhe se ato do të trajtohen ashtu siç janë trajtuar deri më tash.
“Tendenca për të thënë se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në Evropë, janë manipulime të ulëta, dashakeqe dhe dëmtojnë imazhin e universiteteve dhe diplomave tona. Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia nuk janë pjesë e EQAR-it dhe studentët e tyre nuk e kanë asnjë problem me njohje të diplomave. Ky është edhe një fakt i fuqishëm që demanton manipulimet se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në EU. Por në asnjë mënyrë ky fakt nuk përmendet për të relativizuar apo zvogëluar rëndësinë që ka EQAR për njohjen e vlefshmërisë së diplomave tona”, është bërë e ditur përmes një komunikate.
Njëkohësisht MASHT-i thotë se mbetet e përkushtuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim të kthehet në EQAR brenda afatit të ankimimit prej 90 ditësh.
Ky reagim i MASHT-it vjen pas përjashtimit të Kosovës nga EQAR-i.