MASHTI e shtyn afatin për recensentë të teksteve të reja

11 maj 2020 | 08:06

Ndonëse afati i fundit për recensentë për vlerësimin e dorëshkrimeve për klasat 3,8 ,12, si dhe për dorëshkrimet të cilat nuk janë vlerësuar pozitivisht vitin e kaluar ka qenë data 4 maj, Ministria e Arsimit e ka shtyrë këtë afat edhe për disa ditë.

Sipas MASHTI-t kjo zgjatje e afatit është bërë me qëllim të rritjes së numrit të aplikimeve sa më cilësore.

Në një përgjigje me shkrim, kjo ministri ka theksuar se afati i fundit do të jeta data 11 maj.

“Zgjatja e afatit është bërë me qëllim të krijimit të mundësive për aplikim për të gjithë të interesuarit, në mënyrë që MASHTI të sigurohet se përgatitja e kandidatëve të përzgjedhur të jetë e duhur, duke mundësuar kështu sigurimin e një procesi sa më cilësor dhe transparent të vlerësimit të dorëshkrimeve”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Vlerësimi i dorëshkrimeve, sipas Ministrisë, do të fillojë pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes/emërimit të recensentëve dhe formimit të komisioneve për vlerësim të dorëshkrimeve, raporton Koha.

“Për këtë, sipas planit të veprimit, do të kërkohen edhe afërsisht 10 ditë pune. Atëherë, do të mund të shpërndahen dorëshkrimet e para te recensentët e përzgjedhur”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.

Në konkursin e Ministrisë thuhet se recensentët duhet të kenë kompetencë profesionale për vlerësimin e aspekteve të caktuara të tekstit shkollor. Nga ana tjetër, shtëpitë botuese kanë kërkuar që të mos zvarritet procesi i konkursit për tekste shkollore në mënyrë që ato të jenë të gatshme për shtator, kur edhe fillon viti i ri shkollor.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pandemia e zuri pa kryetar. Zgjedhjet në komunën e Podujevës…