MAShTI hartoi udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve gjatë pandemisë

25 prill 2020 | 10:53

Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka njoftuar se kjo ministri ka nxjerrë vendim për “Procedurat e realizimit të vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë” në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Kjo ministri, sipas Bajramit, ka përpiluar një “Udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë” në Kosovë gjatë periudhës së rrethanave emergjente të krijuara nga pandemia COVID-19 për vitin shkollor 2019/2020. Bajrami ka bërë me dije se  në muajin maj do të nxjerrin edhe një vendim për mbajtjen e Testit të arritshmërisë për klasat e nënta dhe Provimin e Maturës.

Njoftimi i plotë:

Më 24.04.2020, MAShTI ka nxjerrë vendim për “Procedurat e realizimit të vlerësimit të nxënësve gjatë mësimit në distancë”, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Po ashtu, me ndihmën e shumë ekspertëve kemi përpiluar një “Udhëzues për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë” në Kosovë gjatë periudhës së rrethanave emergjente të krijuara nga pandemia COVID 19 për vitin shkollor 2019/2020.

Këto dy dokumente duhet të konsiderohen pjesë integruese e mësimit në distancë. Udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë sygjeron që vlerësimi i nxënësve gjatë mësimit në distancë realizohet i integruar. Ashtu që, gjatë periudhës së mësimit në distancë në rrethana të pandemisë COVID 19 nuk do të zbatohen dispozitat e nenit 3 të Udhëzimit Administrativ 8/2016 për Vlerësimin e nxënësve sipas kornizës së kurrikulës së arsimit parauniversitar në Republikës së Kosovës.

Në udhëzues kemi ofruar detaje për metodat, mënyrën e format e notimit dhe procedurat e vendosjes së notave në ditarin personal të mësimdhënësit. Notat e vendosura nga mësimdhënësit duhet të raportohen në organet e shkollës, me qëllim të lëshimit të librezave, certifikatave, dëftesave e diplomave për nxënës. Pastaj, në momentin që krijohen kushtet për kthim në shkollë, notat përfundimtare vendosen në ditarin e klasës përkatëse dhe në librat amë.

Në muajin Maj, do të nxjerrim edhe një vendim për mbajtjen e Testit të arritshmërisë (klasa 9) dhe Provimit të Maturës (klasa 12), në konsultim me autoritetet dhe institucionet përkatëse. Me këtë vendim gjithashtu do të harmonizohen datat për regjistrim në klasën e 10-të si dhe afatet për aplikim për studime në Universitete apo Kolegje.

Falenderoj edhe njëherë të gjithë ekspertët e angazhuar në përpilimin e udhëzuesit i cili ka qenë kërkesë e shumë mësimdhënësve dhe do të lehtësojë tërë procesin e vlerësimit të nxënësve në këto rrethana të pazakonta.

Në link gjendet udhëzuesi për vlerësimin e nxënësve, gjatë mësimit në distancë.

https://masht.rks-gov.net/uploads/2020/04/udhezues-per-vleresimin-e-nxenesve-gjate-mesimit-ne-distance.pdf?fbclid=IwAR2wjL31TOTYf1UXDVECRIxpufU1AIHl9rqwxe-RyVb8aZkIsjVRU5Zais0

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, në një konferencë për medie…