MAShTI: Ka avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se në bazë të raportit të nxjerrë nga informatat e mbledhura në terren është vërejtur një avancim në procesin e administrimit të pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë, që është mbajtur më 14 qershor.
MAShTI, me këtë rast, ka falënderuar Drejtoritë Komunale të Arsimit për bashkëpunimin dhe angazhimin e shtuar në eliminimin e problemeve gjatë procesit të mbajtjes së testit.
“Megjithatë, edhe këtë herë janë evidentuar disa probleme në disa Qendra të Testimit, si pasojë e mosrespektimit të udhëzimeve të hartuara nga MAShTI. Problemet e evidentuara gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë: mospërmbajtja e rregullave dhe udhëzimeve nga komisionerët dhe administruesit e Qendrave të Testimit; vonesa të administruesve në disa qendra të testimit dhe përdorimi i telefonave celular nga nxënësit”, është bërë me dije në njoftimin e MAShTI-t.
MAShTI gjithashtu ka njoftuar lidhur me mosrespektimin e udhëzimeve gjatë mbajtjes së pjesës së dytë të Testit të Arritshmërisë janë marrë masat adekuate ndaj dy administruesve, ndërsa nxënësve të cilët kanë përdorur telefonin celular dhe që janë evidentuar nga administruesit do t’u llogariten vetëm pikët nga lëndët në pjesën e parë të testit.