MAShTI merr vendim për ndarjen e bursave për nxënës në drejtimet deficitare në IAAP si dhe për vajzat në drejtimet teknike
Me qëllim të përkrahjes më të madhe për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe punësimit, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka nënshkruar vendimin për ndarjen e 90 bursave për nxënës të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) në drejtimet deficitare, si dhe bursa për vajza në drejtimet teknike.
Këto bursa do të ndahen nga MAShTI dhe Projekti ‘LuxDev KSV/020’ për vitin shkollor 2021/2022. Numri i bursave nga MAShTI do të jetë 40 kurse nga Projekti i ‘LuxDev KSV/020’ do të jetë 50.
MAShTI do të ndajë 20 bursa për nxënësit e IAAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Ndërkaq, projekti i ‘LuxDev KSV/020’ do të ndajë 30 bursa për nxënësit e IAAP-ve në drejtimet deficitare dhe 20 bursa për vajzat në drejtimet teknike. Vlera e bursës do të jetë 500 euro për vit shkollor.
Konkursi pritet të shpallet bashkë me konkursin për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta. MAShTI fton nxënësit që do të regjistrohen në institucioneve e arsimit profesional, si dhe vajzat në drejtimet teknike, që të aplikojnë për këto bursa.
Bursat do të ndahen për nxënësit që i plotësojnë kriteret e përcaktuara sipas UA 136/2020.