MAShTI ndan 200 000 euro grante për financimin e qendrave burimore
“Arsimi është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, prandaj rritja e cilësisë në arsim është synim kryesor për qeverinë”, ka thënë kryeministri Albin Kurti në takimin me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.
Ministrja e ka njoftuar kryeministrin Kurti për përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2021 / 2022 në arsimin e përgjithshëm parauniversitar.
Në ketë takim u tha se ofrimi i mundësive të barabarta dhe gjithëpërfshirje në arsim për fëmijët nga grupet e margjinalizuara, vazhdon të ketë vëmendje të veçantë. Në këtë drejtim, MAShTI këtë vit ka ndarë 200.000 euro grante për financimin e qendrave burimore.
Për të mundësuar fillimin e vitit të ri shkollor me prani fizike u theksua domosdoshmëria e vaksinimit të mësimdhënësve dhe respektimi i masave anti-Covid. Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Arsimi dhe Aftësimi Profesional në qeverisjen e tij ka trajtim prioritar, pasi mban çelësin e progresit teknologjik dhe industrializimit si dhe shtimit të vendeve të punës.
Sipas tij, qeveria do të angazhohet në optimizimin e kualifikimeve të ofruara nga arsimi dhe aftësimi profesional, bazuar në nevojat lokale të industrisë për të plotësuar hendekun ekzistues të shkathtësive.
Për garantimin e cilësisë në arsimin e lartë MASHTI po i financon projektet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim që do të ndihmojnë kthimin e AKA-së në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).
Po ashtu në këtë takim u theksua se avancimi i politikave dhe kornizës ligjore në fushën e arsimit, është një nga aspektet në të cilat është fokusuar qeveria.