MASHTI synon që prej shtatorit procesi mësimor të fillojë në kushte normale 

09 korrik 2021 | 14:35

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku-Bërdyna, ka deklaruar se kanë nisur përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në një konference për medie, ajo ka thënë që ministria beson që procesin mësimor do ta nis me prezencë fizike në objektet shkollore. “MASHTI ka nisur parapërgatitjet për një fillim sa më të mbarë, e besoj se sikurse të gjithë ne po shpresojmë që nga shtatori procesi mësimor të fillojë në kushte normale, pra në prani fizike. Natyrisht, kjo do të varet shumë nga situata me pandeminë dhe do të vendoset nga institucionet kompetente si IKSHPK dhe MSH. Lajmi i mirë në këtë drejtim që na gëzon shumë neve në MASHTI se tashmë ka nisur edhe vaksinimi i mësimdhënësve në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për vitin e ri shkollor”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, sipas saj, kjo do të varet nga situata me pandeminë dhe rekomandimi që do të marrin nga institucionet shëndetësore.

Ajo ka folur edhe për sfidat më të cilat procesi mësimor është përballur gjatë pandemisë.

“Për shkak të situatës me Covid-19, ka qenë një vit shumë i vështirë në të gjithë sektorët, sidomos në atë të arsimit. Besoj që përmes mësimit plotësues, të cilin e kemi organizuar në MASHTI për shkollat, kemi arritur që pak a shumë të përmirësojmë ngecjet e shkaktuara tek një pjesë e nxënësve. Për sa i përket përfundimit të vitit shkollor jemi të lumtur se kemi arritur që në këtë mënyrë të ndikojmë dhe të ndihmojmë cilësinë e procesit mësimor”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Plakja është një zvogëlim progresiv i funksioneve jetësore biologjike dhe…