Mashtrim mbi 18 mijë € me fatura fiktive në Alba Petrol në Hajvali, menaxheri e denoncon rastin
Rastet e mashtrimeve me qëllim përfitimin e qindra mijëra eurove në formë të kundërligjshme janë rritur me të madhe në Kosovë. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur për dy muaj me radhë në një pompë të derivateve në Hajvali të Prishtinës.
Hetimi tashmë është iniciuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe një person ka përfunduar në pranga të policisë.
Mashtrimi është zbuluar në kompaninë “Alba Petrol” në Hajvali dhe është denoncuar nga menaxheri i kësaj pike.
Bazuar në informacionet e para, dyshohet se një person ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme mbi 18 mijë euro në këtë kompani përmes faturave fiktive, shkruan Sinjali.
I dyshuari ka mashtruar që nga muaji maj deri së fundmi kur është zbuluar nga kompania dhe rasti u raportua në polici.
Si rezultat i denoncimit, është arritur që të arrestohet i dyshuari dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.