Mashtrim me subvencione: Arrestohen tre zyrtarë të Federatës së Karatesë për keqpërdorim të fondeve të MKRS
Policia e Kosovës, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit respektivisht Sektori për Hetime Financiare dhe hetuesit nga Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Prishtinë, kanë arrestuar tre zyrtarë të Fedaratës së Karatesë nën dyshimin për keqpërdorimin e mjeteve financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Pas pranimit të një informate, të njëjtën e kanë trajtuar dhe gjatë mbledhjes së dëshmive, kane ngritur dyshime se zyrtarët e Federatës se Karatesë të Kosovës (FKK), kanë keqpërdorur mjetet financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Të dyshuarit: N.G., (viti i lindjes 1974, mashkull kosovar), F.M., (viti i lindjes 1982, femër kosovare) dhe I.K., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), me veprimet e tyre kundërligjore, dyshohet se në periudhën kohore 2019-2023, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të MKRS në vlerë prej 87,463.00€ (tetëdhjetë e shtatëmijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tri euro).”, ka njoftuar Policia.
Të dyshuarit janë arrestuar, janë intervistuar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti: ‘Mashtrim me Subvencione’. Pas intervistimit, ndaj të dyshuarve N.G., dhe F.M., është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa I.K., është liruar në procedurë të rregullt.