Mashtrimet e dekadës
Po bëhet gati një dekadë qyshkur patën nisur zotimet për heqjen e vizave (2010), mirëpo e njëjta çështje ka mbetur e pazgjidhur edhe sot, ndonëse kanë kaluar gati 8 vjet.
Politikanët kosovarë përgjatë dekadës së fundit pos liberalizimit premtuan edhe integrimin e Kosovës në BE, krijimin e ushtrisë, si dhe finalizimin e procesit të dialogut mes Kosovës e Serbisë. Pavarësisht kësaj, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk pritet të ketë zgjidhje të shpejtë.
Kështu konsiderojnë ekspertët e këtyre fushave, të cilët thonë se institucionet duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim. Njohësit e procesit të integrimit dhe liberalizimit mbeten skeptikë nëse këto dy procese do të përmbyllen, ani pse një gjë e tillë po vazhdon të premtohet edhe sot nga ana e Qeverisë.
Madje, sa i përket liberalizimit ende nuk është zgjidhur kushti kryesor (Demarkacioni), ndonëse janë bërë gati tre vjet prejse është nënshkruar.
Nga ana tjetër, ekspertët e çështjeve ushtarake vlerësojnë se ushtria nuk do të bëhet as për pesë vjet të tjera. Megjithëkëtë, zyrtarë të Qeverisë thonë se janë duke punuar drejt përmbylljes së këtyre çështjeve, shkruan “Zëri”. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë (i nisur më 2011-n) njohësit e këtij procesi thonë se ai nuk ka përmbushur aspak pritjet e qytetarëve.