“Mashtrimi i Madh”, libri që e argumenton gjenocidin serb në Kosovë
Sot janë mbushur katër vite që nga dalja nga shtypi e librit “Mashtrimi i Madh”, i autorit Bardhyl Mahmuti, politolog dhe ish- drejtues i diplomacisë së UÇK-së. Libri “Mashtrimi i Madh”, në fokus e ka demolimin e shpifjeve dhe të propagandës raciste serbe në qarqe politike, diplomatike dhe mediale ndërkombëtare, kundër shqiptarëve dhe luftës së drejtë e në pajtim me konventa ndërkombëtare të UÇK-së. Argumentimi shkencor i gjenocidit serb në Kosovë, ende i panjohur si i tillë nga drejtësia ndërkombëtare dhe rrjedhimisht edhe i pandëshkuar, është gjithashtu një aspekti tjetër, i veçantë, i librit “Mashtrimi i Madh”.
Duke qenë edhe pjesë e librit, edhe demolimi shkencor që autori i bën raportit të Dick Martyt, i ndërtuar mbi bazën e gënjeshtrave dhe falsifikimeve monstroze të strukturave shtetërore të Serbisë, është pjesë e intervistës që e zhvilluam për gazetën “Epoka e Re”, në këtë përvjetor të librit me autorin Bardhyl Mahmuti.
Sot bëhen katër vite nga botimi i librit tuaj “Mashtrimi i Madh”. Sa vite punë qëndrojnë pas tij dhe, në fakt, për lexuesit që ende s‘e kanë pasur librin në dorë, cilin “Mashtrim të Madh”, e trajtoni në libër?
BARDHYL MAHMUTI: Para fillimit të luftës së armatosur në Kosovë, diplomacia aktive e Serbisë kishte përpiluar materiale që kishin për qëllim krijimin e një opinioni publik negativ për shqiptarët. Në funksion të nxirjes së shqiptarëve, Shërbimi Sekret i këtij shteti kishte hartuar të ashtuquajturin “Libër të Bardhë”. Me mijëra ekzemplarë të këtij libri, të përkthyera në gjuhën angleze dhe frënge, i’u shpërndanë ministrive të punëve të jashtme të shtete të ndryshme në botë, personaliteteve me peshë në politikën e vendeve të caktuara dhe anëtarëve të institucioneve ndërkombëtare, gazetarëve me peshë në hapësirën mediatike e kështu me radhë.
Propaganda aktive e Serbisë gjeti një terren të përshtatshëm edhe për shkak të diplomacisë inegzistente të Kosovës gjatë periudhës kohore nga tërheqja e forcave serbe e deri te shpallja e pavarësisë. Gjatë kësaj kohë autorë të Kosovës kanë trajtuar aspekte të luftës në Kosovë dhe fatkeqësisht librat e tyre me vlerë kanë mbetur vetëm në duart e lexuesve shqiptarë. Nuk ka pasur një strategji të përkthimit dhe të shpërndarjes së këtyre librave.
Fatkeqësisht, një dekadë pas gjenocidit serb në Kosovë opinioni publik ndërkombëtar u fokusua në pretendimet serbe për gjoja “krimet e UÇK-së”. “Mashtrimi i Madh”, trajton pikërisht këto aspekte të propagandës serbe dhe nxjerr në shesh atë se kush qëndron prapa vrasjes së civilëve në Kosovë, zhvesh tërësisht raportin që mban emrin e Dick Martyt e që realisht është sajesë serbe, argumenton në mënyrë shkencore se në Kosovë është kryer gjenocid kundër shqiptarëve.
Cili është karakteri i librit “Mashtrimi i Madh”,; publicistik, historik, politik, diplomatik?
BARDHYL MAHMUTI: Këtu kemi qasjen e një politologu ndaj realitetit historik. Argumentet që shtrohen në këtë libër janë argumente që s’mund të kontestohen nga askush që ka një kulturë minimale shkencore. Për këtë arsye ky libër ka vlerë edhe për historianët, politikanët dhe diplomatët shqiptarë.
Sa ka arritur të depërtoj libri tek lexuesit shqiptarë dhe cili është mendimi juaj për pritjen e tij si nga lexuesit ashtu dhe nga qarqet profesionale?
BARDHYL MAHMUTI: Të flasim të drejtën, libri nuk ka depërtuar te lexuesi shqiptar aq sa do të duhej. Sidomos jo te ajo kategori njerëzish që është dashur ta lexojnë. Sikur ta kishin lexuar çmontimin që i bëj të ashtuquajturit “Raport i Dick Martit”, deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të kishin menduar më ndryshe para se të votonin themelimin e Gjykatës Speciale.
Përveç asaj që “Mashtrimi i Madh”, gjendet në formë libri të shtypur, lexuesi ka mundur ta sigurojë edhe në format PDF përmes internetit (falas). Portalet “Illyria press”, “Pashtriku”, “Revista Drini”, e kanë publikuar në tërësi librin, ndërsa gazeta “Epoka e Re”, vazhdimisht ka publikuar fejtone me pjesët më të rëndësishme të librit. Me një fjalë, ata që kanë qenë të interesuar kanë pasur mundësi ta sigurojnë librin.
Libri “Mashtrimi i Madh”, tashmë ka dalë edhe në dy gjuhë ndërkombëtare, angleze dhe franceze, gjë që do të duhej ta kishte më të lehtë depërtimin ndërkombëtar. Çfarë ka qenë në këtë aspekt mbështetja e shtetit të Kosovës, posaçërisht e Ministrisë së Jashtme, ambasadave dhe konsullatave të tij?
BARDHYL MAHMUTI: Disa ambasador dhe konsuj të Kosovës e kanë shpërndarë librin në qarqe ndërkombëtare. Do t’i veçoja Ramadan Avdiun, Sabri Kiçmarin dhe Arjan Kashtanjevën, të cilët kanë dhënë një kontribut të madh në këtë drejtim. Do t’i veçoja poashtu, edhe deputetët Elmi Reçica dhe Bilall Sherifi, të cilët në shumë kontakte me politikanë dhe diplomatë të huaj u’a kanë dhuruar versionin në gjuhën angleze të librit “Mashtrimi i Madh”. Përndryshe, libri është shpërndarë te njerëz me influencë dhe biblioteka universitare në botë nga profesori i Universitetit të Prizrenit, Shkëlqim Millaku, veprimtari politik në Gjermani Ilir Seferi, nga Ibrahim Xhemajli dhe Ixhet Lutfiu në Danimarkë etj. Kur bëhet fjalë për librin “Mashtrimi i Madh”, vlen të përmendet kontributi i jashtëzakonshëm i Agush Bujës dhe shoqatës “Mëmëdheu”.
Megjithatë, s’është sekret se ka pasur të tillë që janë përpjekur ta pengojnë shpërndarjen e librit dhe në këtë rast do të përmend lajmin që u publikua para disa kohësh se në depot e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ishin dërguar një numër i caktuar i librit në gjuhën angleze. Pa marrë parasysh kush e ka bërë një gjë të tillë, fshehja e librit është në funksion të fshehjes së gjenocidit serb në Kosovë.
Intervistoi: Lulëzim ETEMAJ