Mashtrimi me bitcoin, përfundon aksioni në rajonin e Prishtinës – njëri nga të arrestuarit zyrtar i Shërbimit Korrektues
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka përfunduar aksioni i cili ka filluar në orët e mëngjesit në koordinim me Policinë e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës dhe me gjykatën kompetente.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se janë kryer bastisje në pesë lokacione, përkatësisht në Prishtinë, Kamenicë dhe në Viti, ku fillimisht janë arrestuar pesë persona të dyshuar, prej tyre një zyrtar i Shërbimit Korrektues.
“Pas intervistimit të tyre në stacion policor, të njëjtit janë dërguar në mbajtje, në kohëzgjatje prej 48 orësh nga Prokurori i Shtetit, për shkak të veprës penale ‘Mashtrimi’”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, personat me inicialet: B.Sh., B.H., V.C., B.B. dhe L.B., dyshohen se nga muaji janar-prill 2024, në bashkëkryerje, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete i kanë vënë në lajthim palët e dëmtuara, kinse do t’iu shesin bitcoin, duke i nxitur kështu të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre dhe me këto veprime kanë arritur të përfitojnë shuma të konsiderueshme të parave.
Në këtë çështje penale janë në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar, të cilët nuk janë gjetur në objektet përkatëse.
Nga bastisjet e realizuara janë sekuestruar fatura e prova të tjera, të cilat do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokuroria në koordinim me policinë do të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.