Mashtroi me termine për viza, kërkohet paraburgim për të dyshuarën
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit nga të dyshuarës për mashtrime me termine për viza pune jashtë vendit.
Kjo është konfirmuar për Express nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore ne Prishtine ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj te pandehurës, e cila ka mashtruar te dëmtuar, kinse për t’iu siguruar termine për viza pune jashtë vendit, ne gjykatën kompetente”, thuhet në njoftim.
Në ndërkohë, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë qenë të mashtruar për termine për viza pune jashtë vendit, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor.
“Mbështetur në rezultate e para të hetimit, policia ka ngritur dyshimin e bazuar se mashtrimi mund të ketë ndodhur në vazhdimësi për një periudhë të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga personat e dyshuar mund të jetë më i madh se sa numri i raportuar”.
“Andaj, kërkojmë nga qytetarët që mund të kenë qenë viktimë e rasteve të tilla të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për të ndihmuar policinë drejt hetimit përfundimtar”, thuhet në njoftim të policisë.