Massa kritikon Alonson, lavdëron Schumacherin
Piloti brazilian Felipe Massa arriti 11 fitore e 41 podiume në Formula 1 gjatë karrierës së tij. Ai iu afrua shumë titullit kampion për pilotë në vitin 2008, që e humbi në kthesën e fundit, në garën e shtëpisë (titullin e mori Hamilton).
Në një intervistë, 41-vjeçari brazilian nuk i ka kursyer kritikat ndaj ish-shokut të tij të skuadrës te Ferrari, Fernando Alonso.
“Kam qenë te Ferrari me shumë kampionë, por jo gjithmonë gjërat kanë shkuar mirë. Fernando Alonso, pa dyshim, ka qenë shoku im më i vështirë i skuadrës me të cilin jam përballur”, ka thënë Massa, që me spanjollin ishin së bashku te Ferrari në vitin 2010 deri në vitin 2013.
“Alonso ishte një pilot i jashtëzakonshëm, por të punoje në një skuadër me të ishte e vështirë. Skuadra ishte e ndarë dhe kjo nuk e ndihmonte punën tonë. Ndërsa unë nuk kisha forcën që Ferrari të më dëgjonte në këtë drejtim”, shprehet Massa, që ka mendim tjetër për Michael Schumacherin, shok skuadra me të në vitin 2006 te “kokëkuqja”.
“Të ishe shoku i skuadrës së Michaelit ishte fantastike. Kam mësuar shumë nga ai, një pilot i jashtëzakonshëm, që kishte një metodë pune unike. Ishim shumë të lidhur”, shprehet Massa, që më pas shkoi te Williamsi. “Nuk i ndryshoj presjen karrierës time, pasi jam argëtuar shumë, ishte një përvojë unike. E vetmja gjë që do të ndryshoja është të kisha një pikë më shumë në vitin 2008 kur humba botërorin”, ka deklaruar Massa.