
Masterklasë me Ervina Halilin për shkrimin kreativ në “Europe House”
Më 23 Prill, në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit, nga ora 17:30-19:00, “Europe House” në Prishtinë organizon masterklasë me shkrimtaren Ervina Halili, një nga poetet dhe shkrimtaret më të shquara të gjeneratës së saj.
Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë evropiane dhe janë paraqitur në panaire librash anembanë Evropës.
“Ervina vjen në ‘Europe House’ për të realizuar një masterklasë e cila do të ndahet në tre sesione, ku do të mësohet si të frymëzoheni, për shkrimin si akt social dhe historik apo narrativat vizuale”, njofton “Europe House”.
Po ashtu, do të realizohet një bisedë mbi karrierën letrare të Ervina Halilit.
Ervina Halili, e lindur në Prishtinë, është një nga zërat më të spikatur letrarë të kohës sonë. Vepra e saj pasqyron thellësi emocionale dhe lidhje unike me historinë dhe shoqërinë. Me romanin “Mali i qumështit”, ajo sjell një narrativë të re që eksploron tema si kujtesa, identiteti dhe rrëfimi vizual.
Vendet janë të kufizuara. Mund të regjistroheni në [email protected] deri më 22 prill 2025.