Matematicienët: Finalja e Botërorit do të jetë Gjermani-Brazil
Kërkuesit e Universitetit të Insbrukut në Austri kanë llogaritur koeficientet e 26 kompanive të basteve të ndeshjeve të Botërorit dhe i kanë vendosur ato përballë statistikave të tyre, duke simuluar ndeshjet e mundshme dhe rezultatet.
Ata përdorën koeficientet e tyre si një bazë, por duke u hequr marzhinën e llogaritur të fitimit. Pastaj llogaritën probabilitetit e përballjes së një skuadre me një tjetër dhe i vendosën në një model kalkulimi që simulonte çdo variant ndeshjeje në një kompjuter. Dhe Brazili dhe Gjermania kanë dalë të parat. “Finalja më e mundshme, me një probabilitet 5.5% është Gjermani-Brazil dhe këta të fundit kanë shansin për t’u hakmarrë për gjysmëfinalen e humbur në 2014”, ka thënë një nga bashkautorët e studimit, profesori Akim Cailais.
Edhe pse kjo është finalja e mundshme, modelet e matematicienëve e patën të pamundur për të thënë se cila prej tyre do ta ngrinte trofeun. Por probabiliteti i “Seleçaos” për të triumfuar kundër “pancerave” është 50.6%, duke i lënë Gjermanisë 49.4%. Simulimi i probabiliteteve të ndeshjes finale nga statisticienët është përsëritur me miliona herë. Pas Brazilit dhe Gjermanisë, dy ekipet e tjera favorite janë Spanja (12.5%) dhe Franca (12.1%). Gjysmëfinalja më e mundshme do të jetë Brazil-Francë (9.4%) dhe Gjermani-Spanjë 9.2%.
Rusia ka 28.9% shanse që të shkojë në çerekfinale, por shanset për të triumfuar në vendin e tyre i kanë vetëm 2.1%. “Kompanitë e basteve duan të fitojnë sa më shumë para dhe koeficientët i vendosin në mënyrë sa më realiste që të jetë e mundur, duke marrë në konsideratë jo vetëm statistikat historike, por edhe shortin, madje edhe lojtarët e dëmtuar”, shtoi profesor Cailais. Kjo skuadër matematicienësh ka parashikuar saktë se Spanja do të triumfojë në Botërorin e 2010-ës, ndërsa në “Brazil 2014” parashikoi saktë tre nga katër ekipet gjysmëfinaliste.