Materialin e radhës do ta quajmë “pjata fluturuese”, pasi vjen në CD
Sekretari, njëherësh ushtruesi i detyrës i kreut të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, në emisionin DPT te Fidani në T7, ka thënë se materiali i radhës që do t’u vijë zyrave të tyre në CD do ta quajnë “pjata fluturuese”.
Klinaku tregon se ideja për këtë emërim ishte e Nasim Haradinajt, nënkryetarit të organizatës tashmë i arrestuar. Kjo për shkak se CD-ja, të cilën OVL e UÇK-së e pret, pasi “rrufeja” i premtoi se do ta sjellë së shpejti, ka formën e pjatës fluturuese.
“Nëse vijnë dosjet e tjera në formë të CD-së, ne do t’i quajmë pjata fluturuese”, është shprehur Klinaku në T7. Po ashtu, ai tregoi se çfarë do të ndodhë në rast se arrestohet.
“Nëse arrestohem edhe unë, vazhdon punën tjetri. Është kryesia, është këshilli dhe degët në të gjithë Kosovën”, ka shtuar Klinaku.