“Mati 1”, vendi ku unë jetoj
Shkruan: Gresa Marmullaku
Mati 1 nga vend i qetë në vendbanim i zëshëm e kaotik
Krejt ndryshe është hapësira ku unë jetoj në Prishtinë, tash e 19 vite së bashku me familjen më saktësisht në lagjen Mati 1.
Deri në vitin 2005 kjo lagje njihej si një lagje e qetë, por gjithçka ndryshoi po në këtë vit.
Në pjesën jug-lindore të Prishtinës Mati 1 nuk do të mbizotëronte qetësia e cila ishte karakteristike më pare, për këtë pjesë të qytetit.
Ndërtimi i banesave kishte filluar dhe që nga ai vit deri në ditët e sotme banorët e kësaj lagjeje nuk kanë pasur qetësi, janë dëgjuar vetëm punëtor të cilët punonin, këndonin, bërtisnin. E sikur kjo të mos mjaftonte e gjithë kjo zhurmë po shoqërohej me të krisurat e çekanëve, me lëvizjet e kamionëve, të cilët po zinin çdo hapësire të rrugëve duke e bërë të pamundur kalimin e tyre për banorët e lagjes.
Jetë burgu për banorët
Jeta e banorëve të vjetër të kësaj lagje po kthehet në jetë burgu, duke i lënë ata pa zgjidhje, ndërtimi i banesave po ua kufizon atyre çdo ditë e më shumë daljen nga shtëpitë e tyre.
Çdo familje e kësaj lagje është e detyruar që pronat e tyre ti këmbejë për ndërtime të banesave, pasi që të gjitha shtëpitë gjithmonë e më shumë po rrënohen për ndërtime të banesave të reja e lukseve, pa infrastrukturë të nevojshme. E ky trend po i detyron njerëzit që ti shesin shtëpitë e tyre edhe për përfitime pasi që modë është bërë të ndërtohet, pa sens, pa kriter, pa asnjë ide për jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Pikërisht është kjo ajo e cila e pret edhe shtëpinë time që tashmë është e rrethuar nga banesat, me ose pa dëshirë, kjo shtëpi herët apo më vonë duhet të lëshohet për plane të caktuara të komunës së Prishtinës.
Pamje nga shtëpia ime
Tani situata poshtë shtëpisë time është e tmerrshme, rrugët janë të prishura totalisht dhe ndreqja e tyre po vazhdon ende por shumë ngadalë. Hapësirat e gjelbërimit janë zhdukur plotësisht, po ashtu edhe parqet e fëmijëve janë të shkatërruara dhe të dëmtuara. Trotuaret në këtë lagje kanë qenë shumë të ngushta deri në momentin kur Komuna e Prishtinës filloi të realizojë planin e saj për zgjerimin e tyre dhe ngushtimin e hapësirës të automjeteve. Kolonat që krijohen në darkë janë shumë të vështira. Krejt këto probleme që ndodhin në këtë lagje janë për shkak të ndërtimeve të vazhdueshme dhe shtimit të popullsisë po në këtë lagje.
Pamje nga Mati 1 gjatë mbrëmjeve
Qytetari i rrezikuar nga urbanizimi i egër
Gjatë këtyre punimeve më të rrezikuarit janë fëmijët për shkak të infrastrukturës të tmerrshme janë detyruar gjithmonë të jenë nën shoqërimin e një të rrituri për ta kaluar rrugën.
Për të shkuar në një destinacioni të caktuar një banor i lagjes Mati 1 duhet të niset gjithmonë me herët për te mbërritur në kohë për shkak të bllokimeve të shumta që krijohen në këtë lagje.
Punimet e vazhdueshme në këtë lagje kanë bërë që shumë familje të ndërrojnë vendbanim ose të kthehen në fshatra për shkak të mbingarkesës dhe zhurmës në lagje. Punimet e shumta shumë banorëve u ka shkaktuar dëme ekonomike. Momentalisht kjo lagje njihet si lagjja më e famshme dhe më problematike e momentit në kryeqytet.
Pamje gjatë mëngjesit
Po të hysh të kërkosh në makinën kërkuese (Google) për lagjen Mati 1 do të shfaqen vetëm portalet duke raportuar për ndaljen e ujit, e cila është bërë shumë e zakonshme në këtë lagje, për shkak të pakujdesisë së punimeve. Telasheve të shumta të lagjes “Mati 1” u është shtuar edhe dëmtimi i gypit të ujërave të zeza. Shkak i këtij dëmtimi, është bërë pesha e rëndë e makinerive ndërtuese të cilat kalojnë nëpër rrugët e lagjes, derisa ujërat derdhen nëpër tërë rrugën kryesore.
Hapja e dritareve për ajrosjen e shtëpive po bëhet gjithnjë e më e vështirë në fillimin e lagjes. Mungesa e sistemit të rregulluar të kanalizimit në këtë pjesë të lagjes po shkakton probleme të mëdha. Ujërat e zeza në këtë lagje derdhen në një përroskë që përveç pamjes së keqe, shkakton edhe shumë telashe tjera. Reshjet atmosferike në vjeshtë dhe dimër shkaktojnë vërshimet e kanalizimit duke e vështirësuar dukshëm qarkullimin.
Kanalizimi që ka vite që është mbetur i parregulluar
Unë dhe shumë banorë të po kësaj lagje po jetojmë me shpresën që në këtë pjesë të ndërmerren masa që të parandalohet ky ndërtim i hovshëm që po bëhet në këtë pjesë, të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë nga kërkesat e shumta të banorëve të realizohet një pakicë e tyre.
Mati 1 para disa vitesh, kur nuk kishte ndërtime të larta