Matoshi: AKR-ja e bëri këtë Qeveri dhe e shpëtoi pa rënë
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Fatmir Matoshi, ka bërë me dije se vullneti i këtij subjekti politik është që Kosova të ketë një Qeveri me shumicë shqiptare.
Ai ka thënë se presidenti i këtij subjekti politik, Behgjet Pacolli, çdo herë ka qenë ithtar i kësaj ideje. Megjithatë, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Qeveria aktuale e ka shumicën e nevojshme në Kuvendin e Kosovës dhe, si e tillë, do ta vazhdojë mandatin e saj.
“Ajo që dihet është qëndrimi i presidentit Pacolli, i cili ka thënë se është i interesuar për një Qeveri me shumicë shqiptare. Pra, vullneti i AKR-së është që Kosova të ketë një Qeveri me shumicë shqiptare”, ka thënë Matoshi.
Ai ka treguar se formimi i një Qeverie të tillë nuk varet vetëm prej AKR-së. “Dihet se kjo nuk varet prej AKR-së. Kjo varet prej shumë faktorëve; prej partive që janë në pushtet, pastaj edhe prej partive që janë në opozitë”, është shprehur ai.
Matoshi beson se Lista Serbe ende është pjesë e koalicionit qeverisës. Sipas tij, veprimet e këtij subjekti politik janë vetëm lojëra politike. “Kjo Qeveri do të jetë gjatë në detyrë, sepse mendojmë se Qeveria e ka shumicën e nevojshme. Me siguri se e keni parë që ministrat e Listës Serbe dalin në punë, kurse lojërat politike nuk mund t’i komentoj”, është shprehur Matoshi.
Nënkryetari i AKR-së ka mohuar mundësinë që shkarkimi i ministrit të Punëve të Brendshme ta ketë dëmtuar partneritetin mes kësaj partie dhe kryeministrit Haradinaj.
“Ne nuk kemi qenë të kënaqur me kërkesën e kryeministrit që z. Sefaj ta lironte detyrën. Kjo kërkesë ka qenë e padrejtë, mirëpo kjo nuk e ka dëmtuar partneritetin tonë. E kemi thënë edhe më herët, se AKR-ja e ka bërë këtë Qeveri. AKR-ja e ka shpëtuar edhe tash këtë Qeveri. Natyrisht se AKR-ja do të vazhdojë të jetë e përkushtuar që kjo Qeveri ta çojë deri në fund mandatin”, ka thënë Matoshi. Ai ka folur edhe për emërimin e ministrit të ri në krye të MPB-së. Matoshi ka bërë me dije se emërimi i ministrit të ri pritet të ndodhë shumë shpejt.
“Epoka e re”: Z. Matoshi, AKR-ja ka paralajmëruar se këtë javë do të dalë me emrin e ministrit të Punëve të Brendshme. Kur do të ndodhë kjo?
Matoshi: Tani nuk mund të them saktë se kur, sepse ende nuk kemi një emër për ministër të Punëve të Brendshme. Kjo çështje është në dorë të presidentit të partisë. Besoj se shumë shpejt ai do ta propozojë emrin për ministër të Punëve të Brendshme në konsultim edhe me strukturat e partisë.
“Epoka e re”: Ende nuk keni gjetur ndonjë emër?
Matoshi: E di se brenda strukturave të AKR-së çdokush ka të drejtë ta propozojë një emër, qoftë degët apo Kryesia e AKR-së. Pastaj presidenti Pacolli i shqyrton ato propozime të strukturës dhe më pas vendos.
“Epoka e re”: Emri juaj është lakuar për këtë post?
Matoshi: Nuk do të jem unë ministër i Punëve të Brendshme. E falënderoj strukturën e AKR-së që më ka mbështetur.
“Epoka e re”: Po emri i ekspertit të sigurisë, Florian Qehaja?
Matoshi: Ai tashmë e ka demantuar këtë lajm, duke thënë se ka qenë vetëm spekulim i mediave.
“Epoka e re”: Ministri i ardhshmen i Punëve të Brendshme do të jetë brenda strukturave të AKR-së apo jashtë strukturës?
Matoshi: Unë kisha dashur që emri i këtij ministri të jetë dikush nga strukturat e AKR-së, në të kundërtën nuk do të kishte ndonjë kuptim.
“Epoka e re”: Shkarkimi i ministrit Sefaj e ka dëmtuar partneritetin e AKR-së me kryeministrin?
Matoshi: Ne nuk kemi qenë të kënaqur me kërkesën e kryeministrit që z. Sefaj ta lironte detyrën. Ajo kërkesë ka qenë e padrejtë, mirëpo kjo nuk e ka dëmtuar partneritetin tonë. E kemi thënë edhe më herët, se AKR-ja e ka bërë këtë Qeveri. AKR-ja e ka shpëtuar edhe tash këtë Qeveri. Natyrisht se AKR-ja do të vazhdojë të jetë e përkushtuar që kjo Qeveri ta çojë mandatin deri në fund.
“Epoka e re”: Nëse kërkesa e kryeministrit për shkarkimin e Sefajt ka qenë e padrejtë, atëherë pse e keni pranuar atë?
Matoshi: Besoj se ne edhe me këtë rast e kemi shpëtuar Qeverinë.
“Epoka e re”: Kjo do të thotë se Qeveria ka mundur të bjerë me rastin e shkarkimit të ministrit Sefaj?
Matoshi: I bie se AKR-ja e ka shpëtuar Qeverinë edhe këtë herë.
“Epoka e re”: Pas daljes në opozitë të Listës Serbe është folur shumë për mundësinë e zgjerimit të koalicioni qeverisës. Sa ka gjasa të ndodhë kjo?
Matoshi: Kjo i tejkalon kompetencat e mia. Ajo që dihet është se qëndrimi i presidentit Pacolli ka qenë për një Qeveri me shumicë shqiptare. Pra, vullneti i AKR-së është që Kosova të ketë një Qeveri me shumicë shqiptare.
“Epoka e re”: Kjo do të thotë se edhe AKR-së do t’i zvogëlohet hisja në pushtet?
Matoshi: Edhe para se të bëhet kjo Qeveri, AKR-ja ka deklaruar se është e gatshme për të hyrë në koalicion edhe pa ndonjë ministri, vetëm që të kemi një Qeveri me shumicë shqiptare. Për AKR-në nuk kanë qenë ndonjëherë problem postet qeveritare.
“Epoka e re”: Sa janë gjasat të ndodhë një Qeveri me shumicë shqiptare?
Matoshi: Dihet se kjo nuk varet prej AKR-së. Kjo varet prej shumë faktorëve. Prej partive që janë në pushtet, pastaj edhe prej partive që janë në opozitë.
“Epoka e re”: Deri kur do të vazhdojë kjo Qeveri, e cila tani nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës?
Matoshi: Kjo Qeveri do të jetë gjatë në detyrë. Ne mendojmë se Qeveria e ka shumicën e nevojshme. Me siguri se e keni parë që ministrat e Listës Serbe dalin në punët e tyre, kurse lojërat politike nuk mund t’i komentoj. Ndërsa qeveritë dihet se si rrëzohen, me mocion mosbesimi.
“Epoka e re”: Pra, mendoni se Lista Serbe ende është në koalicion qeverisës dhe se po bën vetëm lojëra politike?
Matoshi: Sigurisht se po.
“Epoka e re”: Dy subjektet kryesore opozitare, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosja, kanë paralajmëruar mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. I frikësoheni kësaj iniciative?
Matoshi: Nuk i frikësohemi. Është e drejtë e partive opozitare për ta kundërshtuar Qeverinë dhe për të iniciuar mocione mosbesimi. Ky është roli i partive opozitare.
“Epoka e re”: Besoni se mund të realizohet një mocion i tillë?
Matoshi: Edhe nëse realizohet nuk është fundi i botës. Në demokraci rregullat janë të përcaktuara qartë. Nëse kalon mocioni i mosbesimit të opozitës atëherë duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Nuk besoj se ka diçka të keqe këtu.
“Epoka e re”: Zgjedhjen e reja mendoni se do të jenë zgjidhje në këtë kohë?
Matoshi: Mendoj se nuk janë zgjidhje, por ne nuk mund t’i ndryshojmë rregullat. Ajo që mund të them, është se AKR-ja çdoherë është e gatshme për zgjedhje të reja, kurdo që ato të mbahen.
Muhamet KOCI