Matoshi: Aksioni ‘Ta pastrojmë Kosovën’ do ta përfshijë edhe veriun
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka bërë me dije se aksioni “Ta pastrojmë Kosovën” do të realizohet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ai ka deklaruar se ky aksion do ta përfshijë edhe pastrimin e pjesës veriore të vendit, duke përfshirë pikat kufitare 1 dhe 31.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Matoshi ka thënë se në këtë drejtim do të asistohen edhe nga KFOR-i. “Po, sigurisht, pjesë e pastrimit do të jenë edhe pikat kufitare.
Nesër do të kemi aksion pastrimi në pikën kufitare Dheu i Bardhë, për të vazhduar më pas në ditët në vijim edhe në pikat e tjera kufitare. Aksioni për pastrimin e vendit do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Një përkrahje në këtë rast do ta kemi edhe nga FSK-ja dhe KFOR-i”, ka thënë Matoshi.
Duke treguar për përgatitjet që Qeveria e Kosovës ka bërë për këtë aksion, ushtruesi i detyrës së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka treguar edhe qëllimin e aksionit.
“Qëllimi i këtij aksioni është pastrimi i mbeturinave të grumbulluara tash e 19 vjet si dhe vetëdijesimi për ta ruajtur ambientin që na rrethon. Kryesisht me këtë aksion kemi për qëllim pastrimin e brezave kufitarë, largimin e mbi 1 000 deponive ilegale, pastrimin e brezave rrugorë dhe brezave të lumenjve”, ka thënë ai, duke ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet, bashkësitë fetare, subjektet politike, FSK-në, KFOR-in, shoqërinë civile dhe mediet, që t’i bashkëngjiten aksionit kudo që janë, në lagje, rreth punës dhe shkollave.
Më tej, Matoshi ka treguar edhe për vendin se ku do të hedhën mbeturinat e mbledhura. “Me kërkesën e task-forcës për pastrimin e vendit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendim që të gjitha deponitë regjionale do t’i pranojnë mbeturinat pa pagesë në periudhën tremujore të pastrimit”, ka thënë Matoshi.
“Epoka e re”: Z. Matoshi, më 15 shtator nis aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”. Sa është përgatitur Qeveria dhe ministria që drejtoni për këtë aksion?
Matoshi: Qeveria e Kosovës në mbledhjen e vet të rregullt më 24 korrik 2017 pati themeluar task-forcën nacionale për pastrimin e vendit, i cili aksion ishte caktuar të fillojë nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor 2018. Në këtë task-forcë janë të përfshira të gjitha ministritë përkatëse, ndërsa koordinohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Pasi kemi marrë këtë obligim dhe detyrë, kemi themeluar task-forcën teknike e cila, së bashku me shoqërinë civile, ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e këtij aksioni. Po ashtu, janë mobilizuar edhe komunat e Republikës së Kosovës të cilat tashmë, me vendim të obliguar nga MMPH-ja, kanë krijuar task-forcën lokale për pastrimin e komunave të tyre. Paralelisht me këtë aksion MMPH-ja ka lansuar edhe grantin e performancës prej 1.2 milion eurosh për pesë komunat më të suksesshme gjatë këtij aksioni. Gjatë këtyre tre muajve të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të finalizojë udhëzimin administrativ për gjobat mandatore dhe strategjinë nacionale për menaxhimin e mbeturinave, të cilat kanë për qëllim ruajtjen e mjedisit pas përfundimit të këtij aksioni. Gjatë kësaj kohe jemi koordinuar edhe me përfaqësuesit e bashkësive fetare, FSK-në dhe KFOR-in, për t’i bashkërenduar veprimet për aksionin më madhor që ka pasur vendi ynë.
“Epoka e re”: Cili është qëllimi i këtij aksioni?
Matoshi: Qëllimi i këtij aksioni nacional është pastrimi i mbeturinave të grumbulluara tash e 19 vjet si dhe vetëdijesimi për ta ruajtur ambientin që na rrethon. Kryesisht me këtë aksioni kemi për qëllim pastrimin e brezave kufitare, largimin e mbi 1 000 deponive ilegale, pastrimin e brezave rrugorë dhe brezave të lumenjve. Andaj, ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet, bashkësitë fetare, subjektet politike, FSK-në, KFOR-in, shoqërinë civile dhe mediet, që t’i bashkëngjiten aksionit kudo që janë, në lagje, rreth punës dhe shkollave. Angazhimi i të gjithëve për një mjedis të pastër është i rëndësishëm për ne, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm sepse bëhet fjalë për shëndetin dhe jetët tona.
“Epoka e re”: Keni biseduar me shumë institucione për t’iu bashkuar këtij aksioni, po qytetarët sa besoni se do të përgjigjen pozitivisht këtij aksioni?
Matoshi: Duke marrë parasysh mobilizimin e të gjithëve, institucioneve, shoqërisë civile dhe dëshirën e qytetarëve për një Kosovë të pastër, ne jemi të bindur që ky aksion do të jetë më i madhi që nga pas lufta dhe qytetarët do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes sonë për pastrimin e vendit.
“Epoka e re”: Është përmendur se ky aksion ka për synim edhe pastrimin e pikave kufitare. Aksioni, a do t’i përfshijë edhe katër komunat e pjesës veriore dhe pikat kufitare 1 dhe 31?
Matoshi: Po, sigurisht, pjesë e pastrimit do të jenë edhe pikat kufitare. Të shtunën do të kemi aksion pastrimi në pikën kufitare “Dheu i Bardhë, për të vazhduar më pas në ditët në vijim edhe në pikat e tjera kufitare. Aksioni për pastrimin e vendit do të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Përkrahje do të kemi edhe nga FSK-ja dhe KFOR-i.
“Epoka e re”: Ku do të deponohen mbeturinat e mbledhura nga aksioni?
Matoshi: Me kërkesën e task-forcës për pastrimin e vendit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka marrë vendim që të gjitha deponitë regjionale do t’i pranojnë mbeturinat pa pagesë në periudhën tremujore të pastrimit.
Muhamet KOCI