Matoshi: Bashkë po shënojmë hapa pozitivë në krijimin e një Kosove të gjelbër
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, mori pjesë në konferencën “everGREEN Kosovo”, të organizuar nga “Let’s Do It Kosova”, kurse financuar nga Kombet e Bashkuara në Kosovë.
Në fjalën e tij para të pranishmëve ministri Matoshi ka falënderuar organizatorin e këtij forumi, organizatën “Lets Do It Kosova” si dhe Kombet e Bashkuara për financimin e tij.
Më tej, Matoshi ka theksuar se krahas angazhimit institucional dhe veprimeve konkrete që po ndërmarrim në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në vend, adresimi i mirëfilltë i sfidave mjedisore dhe nxjerrja e solucioneve më të mira në konferenca të tilla është i mirëseardhur.
“Pavarësisht diversitetit në qëndrime dhe opinione rreth aktualitetit mjedisor në vend, besoj që të gjithë pajtohemi në së paku tri fakte. 1. Asnjëherë më parë nuk ka pasur angazhim më të madh institucional dhe koordinim në kryerjen e përgjegjësive ligjore në përmirësimin e gjendjes se mjedisit në vend. 2. Asnjëherë me parë nuk kemi pasur vullnet dhe mobilizim më të madh të shoqërisë civile në adresimin dhe angazhimin praktik në çështjet mjedisore dhe: 3. Asnjëherë më parë nuk kemi pasur aktivizim dhe vetëdije më të madhe të qytetarëve ne mbrojtjen e mjedisit”, ka deklaruar ministri Matoshi.
Matoshi ka deklaruar po ashtu se falë këtij angazhimi institucional dhe shoqëror, me përkrahjen e pa rezervë të donatorëve ndërkombëtar po shënojmë hapa pozitiv në krijimin e një Kosove të gjelbert që promovon jetën e shëndetshme, mbrojtjen e burimeve tonë natyrore dhe përdorimin racional të tyre.
“Si rezultat i gjithë kësaj Republika e Kosovës këtë vit është mandatuar nga Let’s Do It World për të bërë organizimin e ditës botërore të pastrimit 2019 dhe 2020. Investimet tona të vazhdueshme në fushën e mbrojtjes së lumenjve, trajtimin të ujerave të zeza, reduktimin e ndotjes së ajrit, sigurimin e ujit të pijshëm, mbrojtjen e bio-diversitetit, menaxhimin e integruar të mbeturinave, ndarja e milionave fondeve bashkë me donatorët ndërkombëtar për komunat e Republikës së Kosovës, do të sjellin rezultate konkrete në arritjen e synimeve tona për një Kosovë të pastër dhe të gjelbert”, ka vlerësuar më tutje Matoshi.
Minsitri Matoshi i ka bërë thirrje kryetarëve të komunave, shoqërisë civile dhe qytetarëve që të vazhdojnë angazhimin e tyre, sepse sipas tij nuk mund të mendojmë për një shoqëri të shëndoshë dhe mirëqenie sociale nëse nuk kemi një mjedis të pastër.
/Epoka e re/