Matoshi e Ahmeti koordinojnë projektet për Prishtinën
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka pritur të enjten në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me nënkryetarin, Selim Pacolli, dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, projektet e përbashkëta, duke përfshirë hartën zonale, krijimin e zonave të gjelbra, veturat elektrike, deponinë e materialeve të ngurta si dhe për tema të tjera.
Në një konferencë të përbashkët për medie, ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, ka thënë se bashkë me Komunën e Prishtinës do të financojnë shumë projekte, në mesin e tyre edhe hartën zonale që sipas tij, është një dokument shumë i rëndësishëm në fushën e planifikimit.
“Ne jemi dakorduar që bashkë me komunën të përfshihemi në projektin e hartimit të hartës zonale dhe MMPH-ja do ta mbështesë komunën në këtë drejtim. Do të vazhdojmë të jemi përkrahë komunës në fazën e përcaktimin të lokacionit të deponisë së materialeve të ngurta dhe do ta mbështesim edhe në mënyrë financiare”, është shprehur Matoshi.
Ai ka thënë se MMPH-ja do t’i realizojë në Prishtinë edhe projektet: trajtimi i ujërave të zeza, krijim i gjelbërimit vertikal, krijimi i zonave të gjelberta, si dhe rregullimi i disa shtretërve të lumenjve.
“Kemi pasur kërkesë nga komuna për ta mbështetur me një kamion për lëvizjen e drunjve dhe ky është një projekt që ministria do ta mbështes. Një problem tjetër ka të bëjë edhe me dheun që nxirret me rastin e ndërtimeve dhe ne duhet të gjejmë një vend ku ta deponojmë, dhe për këtë do ta përcaktojmë edhe lokacionin. Jemi dakorduar që për këto projekte në një të ardhme të afërme të nënshkruajmë edhe memorandume të bashkëpunimit me Komunën e Prishtinës”, ka theksuar Matoshi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se të gjitha këto projekte kanë rëndësi të veçantë për kryeqytetin.
“Ajo çka dua të potencojë është procesi i hartës zonale të komunës. Ne i kemi përfunduar të gjitha punët përgatitore dhe ideja ka qenë që ta kërkojmë ndihmën e MMPH-së për shkak që në këtë ministri gjendet një kapacitet i jashtëzakonshëm që na ndihmon në përfundimin e këtij procesi. Pra kjo ka qenë për mua pjesa më e rëndësishme”, është shprehur Ahmeti, duke shtuar se Komuna e Prishtinës do të ketë edhe dy stacione për mbushjen e makinave elektrike, bashkëpunim ky me USAID-in dhe MMPH-në.
/Epoka e re/