Matoshi e quan krim mjedisor hedhjen e kafshëve të ngordhura në shtretërit e lumenjve
Ministri në dorëheqje i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka postuar një fotografi në profilin e vet në “Facebook”, ku në shtratin e një lumi, përveç mbeturinave shihet edhe një kafshë e ngordhur.
Ai këtë e ka quajtur krim mjedisor kundër vetvetes.
“Krim mjedisor kundër vetvetes. Sot, gjatë vizitave që i bëra disa lumenjve, rastisa të shoh edhe gjendje të tillë të lumit, e shkaktuar nga persona të pa përgjegjshëm që nuk ia duan të mirën vendit dhe as vetës së tyre. Si Ministri po investojmë miliona euro në rregullimin e shtreterve të lumenjve kurse nga ana tjetër shohim skena të tilla tmerri që shkaktohen nga dora e njeriut. Kjo është e papranueshme dhe këtë duhet ta luftojmë së bashku, inspektorët komunal, Policia e Kosovës, qytetarët dhe mediat. Një dëmtim i tillë i ujit dhe lumenjve pa dyshim që mban emrin krim mjedisor dhe si të tillë do ta denojmë. Bashkë kundër krimit mjedisor!. Bashkë kundër krimit mjedisor!”, ka shkruar Matoshi.