Matoshi garanton bashkëpunim me banorët për ndërtimin e deponisë në Harilaq
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, sot ka vizituar komunën e Fushë Kosovës, me ç’rast është takuar me kryetarin Burim Berisha.
Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi dhe kryetari Berisha, kanë diskutuar për caktimin e lokacionit për ndërtimin e një deponimi të përkohshëm të materieve të rrezikshme në fshatin Harilaq të Komunës së Fushë Kosovës.
Në një konferencë për media, ministri Matoshi siguroi kryetarin Berisha dhe banorët e fshatit Harilaq, se nuk do të ndërtohet asgjë që rrezikon shëndetin e qytetarëve të kësaj zone.
“Jemi të fokusuar që të bëjmë një zgjidhje të përbashkët. Siguroj banorët e fshatit Harilaq dhe gjithë banorët e zonës se nuk do të ndodhë ndërtimi i asnjë deponie e cila rrezikon jetën e banorëve në atë zonë. Këtë nuk do ta lejoj në rend të parë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Do të flasin ekspertë, do flasin faktet pastaj do të veprojmë së bashku”, ka thënë ministri Matoshi.
Ministri Matoshi ka treguar se ky projekt, i financuar nga Komisioni Evropian në vlerë mbi 12 milionë euro, është në fazën fillestare dhe sipas tij është i rëndësishëm ndërtimi i një deponimi të përkohshëm për materiet e rrezikshme.
“Në këtë fazë, ne jemi duke bërë vetëm shpimet gjeologjike në këtë zonë. Këtë ia sqaruam edhe kryetarit Berisha dhe së bashku ramë dakord që të takohemi sërish dhe të diskutojmë për t’i përfunduar këto procedura”, ka theksuar Matoshi.
I pari i MMPH-së, Matoshi ka deklaruar se ndërtimi i një deponimi të përkohshëm nuk paraqet rrezik për banorët e Harilaqit dhe rrethinës.
“Ne si ministri jemi të bindur se kjo nuk paraqet asnjë rrezik për banorët, megjithatë faza e ndërtimit, e dhënie së lejes, e vlerësimit të ndikimit në mjedis, janë faza të mëvonshme”, u shpreh ministri Matoshi.
Ministri Matoshi ka theksuar se mungesa e komunikimit rreth këtij projekti, ka mundur të sjellë paqartësi për komunën dhe banorët e Harilaqit për lokacionin e ndërtimit të deponimit.
Ndërsa kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha tha se Kuvendi Komunal gjatë kësaj jave do të marrë vendim për këtë çështje.
“Të enjten do ta kemi një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ku do të vijë dikush nga Ministria e Mjedisit. Asambleja do të marrë një vendim se çka do të bëjmë me këtë çështje”, ka thënë Berisha.
/Epoka e re/