Matoshi kërkon ndihmën e Bankës Botërore për investime në sektorin e ujit
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, të mërkurën është takuar me ushtruesin e detyrës së menaxherit të Bankës Botërore për Kosovë, Diego Garidd, specialistin për menaxhimin e burimeve ujore, TTL, Pieter Waalewijn, specialisten për menaxhimin e burimeve ujore, CO TTL, Trandelina Baraku dhe specialistin e Lartë të Mjedisit, Javaid Afzal.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për ecurinë e projektit të Bankës Botërore për mbrojtjen e ujit dhe projektit për kanalin e Ibër – Lepencit si dhe janë prezantuar të gjeturat e raportit të studimit mbi “Gjendjen e sigurisë së ujit në Kosovë” (Water Security Outlook).
Ministri Matoshi me këtë rast ka pohuar se Kosova ka nevojë për partner dhe donatorë të cilët mbështesin projekte për mbrojtjen e ujit, në veçanti ka kërkuar që MMPH-ja të ndihmohet në projektet që kanë të bëjnë me ndërtim të pendave të ujit. “Kemi nevojë si shtet për ndërtimin e ujëmbledhësve dhe shtimin e numrit të pendave të ujit. Këtu na duhet mbështetja e Bankës Botërore që të sigurojmë ujë të mjaftueshëm për vendin tonë, andaj jemi të interesuar që të hyjmë në projekte konkrete për ndërtim të pendave të ujit”, është shprehur Matoshi.
Ndër tjerash, ai ka siguruar përfaqësuesit e Bankës Botërore se MMPH-ja është e gatshme t’i kryej të gjitha obligimet e saja në projektin e kanalit të Ibër – Lepencit.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Menaxherit të Bankës Botërore për Kosovë, Diego Garidd, ka theksuar se se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka një rol kyç në projektet e Bankës Botërore. “Vitin e kaluar kemi aprovuar Strategjinë tonë Shumëvjeçare që është Korniza për Partneritet me Vendin me tri shtylla, njëra prej të cilave është e lidhur me çështjen e mjedisit. Kemi disa projekte që prekin përgjegjësit dhe punën që bënë Ministria e Mjedisit. Jeni ministria kyçe për ne dhe Banka Botërore është e interesuar të vazhdojë këtë bashkëpunim dhe presim prioritetet tuaja në këtë fushë”, ka deklaruar Garidd.