Matoshi kërkon nga Hamza plotësim ndryshimin e ligjit për taksen ekologjike
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka pritur në takim ministrin e Financave, Bedri Hamza, me të cilin kanë diskutuar në lidhje me agjendën legjislative, projektet kapitale mjedisore si dhe ligjin për taksen rrugore dhe ekologjike.
Në takim ministri Matoshi ka falënderuar ministrin Hamza për angazhimin e ministrisë së financave në kryerjen e procedurave që lidhen me vlerësimet financiare për projektligjet që sponsorizon Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në lidhje me këtë Matoshi ka kërkuar përkrahjen e ministrit Hamza që edhe me tej të përkrahë MMPH-në në shtyrjen përpara të agjendës legjislative për të plotësuar kështu me kohë planin legjislativ 2019.
Ministri Matoshi po ashtu ka kërkuar nga ministri Hamza fillimin e procedurave për plotësim ndryshimin e ligjit për taksen rrugore dhe ekologjike.
“Ligji aktual për Taksën Rrugore dhe Ekologjike për Automjete kategorizon veturat vetëm në bazë të peshës sa i përket nivelit të pagesës, ku veturat deri në 3.5 tonë paguajnë taksë ekologjike 10 euro, kurse veturat e mbi 3.5 tonë paguajnë shumën prej 30 euro. Sipas këtij ligji taksa ekologjike ka për qëllim ngritjen e cilësisë së mbrojtjes së Ambientit, andaj pagesa për këtë taksë duhet të bëhet në proporcion më dëmin që shkaktojnë veturat në mjedis”, ka thënë Matoshi, duke shtuar se ligji aktual në aspektin e pagesës i trajton të gjitha veturat njëjtë duke përfshirë ato hibride dhe elektrike, të cilat janë më miqësore me mjedisin, dhe si të tilla duhet të kenë lehtësira në nivelin e pagesës për taksen ekologjike.
“Rishikimi i këtij ligji dhe harmonizimi me parimet dhe politikat progresive mjedisore do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së mjedisit dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër në shtetin tonë”, ka vlerësuar ministri Matoshi.
Në lidhje me këtë iniciativë të ministrit Matoshi, ministri Hamza ka deklaruar që do të mbështes këtë iniciativë dhe ky plotësim ndryshim i këtij ligjit do të futet në planin legjislativ të vitit 2020.
/Epoka e re/