Matoshi kërkon zbatim të udhëzimit për gjoba nga inspektorët komunalë
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me sekretarin e kësaj ministrie, Arben Çitaku, drejtorin e Departamentit të Inspektoratit, Bedri Halimi, janë takuar të mërkurën me drejtorët dhe inspektorët komunal të Republikës së Kosovës.
Gjatë këtij takimi, ministri Matoshi i ka njoftuar drejtorët dhe inspektorët komunalë për Udhëzimin Administrativ për Gjoba Mandatore.
“Jemi këtu së bashku, në një takim koordinues, për të lidhur një bashkëpunim nga sot e tutje në zbatim të Udhëzimit administrativ Nr.6/2018 për ndëshkimet me gjoba mandatore për ata që hedhin mbeturina në vendet që nuk janë të lejuara”, ka thënë Matoshi.
Ministri Matoshi ka bërë me dije se MMPH-ja dhe akterët e tjerë institucional bashkërisht do ta zbatojnë këtë udhëzim në të mirë të qytetarëve dhe mjedisit.
Matoshi ka thënë se zbatimi i këtij udhëzimi varët nga vullneti i inspektorëve të MMPH-së dhe atyre komunalë
Udhëzimi administrativ për gjobat mandatore, parasheh ndëshkime me gjoba mandatore për personat fizik dhe juridik të cilët hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara për hedhjen e tyre.
Vlera e gjobës mandatore, varësisht prej veprimit ndëshkues do të jetë prej 20 deri në 100 euro.
/Epoka e re/