Matoshi merr përkrahje nga KFOR-i për aksionin ‘Ta pastrojmë Kosovën’
Në prag të fillimit të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi ka pritur në takim gjeneralin e Brigadës John C. Boyd, shefi i shtabit të KFOR-it në Kosovë.
Matoshi gjatë këtij takimi ka treguar për përgatitjet e MMPH-së për aksionin e pastrimit të vendit, duke thënë se synim kryesor është pastrimi i brezave rrugore, pikave kufitare, dhe brezave rreth lumenjve.
“Mbështetja e KFOR-it gjatë këtyre tre muajve të aksionit është shume e rëndësishme , andaj prezenca e KFOR-it do të ishte shumë e mirëseardhur, për të qenë më afër njerëzve dhe komunave në Kosovë, duke përfshirë edhe ato veriore. Ne e duam një mjedis të pastër në tërë Republikën e Kosovës”, ka thënë Matoshi.
Më tutje Matoshi ka kërkuar nga KFOR-i që gjatë tre muajve të aksionit ta pastrojmë Kosovën të bëhet një sensibilizim dhe njoftim për qytetarët për rrezikun eventual nga mjetet e dyshimta shpërthyese nëse hasen gjatë aksionit.
Ndërsa, gjeneral brigade John C. Boyd shef i shtabit të KFOR-it, ka shprehur gatishmërinë për t’iu bashkëngjitur aksionit të 15 shtatorit.
Ai ka thënë se KFOR-i do të jetë në dispozicion të qytetarëve dhe komunave në rast se hasin në mjete të dyshimta gjatë këtij aksioni ndërsa tregoi se KFOR shumë shpejtë do të publikoj një video sensibilizuese për këtë dukuri.
Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, do të fillojë më 15 shtator për të përfunduar më 15 dhjetor 2018.
/Epoka e re/