Matoshi premton zgjidhjen e problemit të ndotjes së mjedisit nga qeset e plastikës
Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, ka vlerësuar së ndër armiqtë më të mëdhenj të vendit sa i përket mjedisit janë qeset dhe shishet e plastikës.
“Qeset e plastikes i kemi çdo kund, në natyrë, brezit rrugor, për më tepër janë përdorë edhe si mjet për me mbledh mbeturina dhe prapë janë hedhë në rrugë”, ka thënë ai gjatë konferencës përmbyllëse të projektit “Për një jetë të shëndetshme, pa qese plastike”.
Ai ka thënë se rekomandimet që dalin nga kjo konferencë do të merren parasysh deri në marrjen e vendimit përfundimtar sa i përket të ardhmes së përdorimit të qeseve të plastikës në vendin tonë.
Sipas tij rreth përdorimit të qeseve të plastikës do të merret një vendim që do të jetë i pranueshëm nga palët dhe rrethanat shoqërore në vendin tonë.
Projekti “Për një jetë të shëndetshme, pa qese plastike” është financuar nga MMPH-ja dhe është implementuar nga Kosovo Center for Business Support (KCBS).