Matoshi: Qytetarët nuk do të mbeten pa ujë, KRU të paguajë borxhet
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kanë takuar të martën përfaqësuesit e Kompanive Regjionale të Ujësjellësit “ARRU” dhe “SHUKOS”, me ç’rast kanë diskutuar për çështjen e vazhdimit të lejeve ujore dhe obligimet financiare të KRU-ve ndaj Qeverisë.
Në këtë takim është arritur edhe një marrëveshje në mes të MMPH-së dhe Kompanive Regjionale të Ujësjellësit (KRU) për shlyerjen e borxhit të akumuluar prej vitit 2007- 2017 nga këto kompani, në vlerë mbi 1. 5 milion euro.
Matoshi gjatë këtij takimi ka thënë se çështja e furnizimit me ujë mbetet prioritet i MMPH-së, ndërsa ka theksuar domosdoshmërinë e pagesës së borxhit nga Kompanitë Regjionale të Ujërave.
“Çështja e furnizimit me ujë për qytetarët e Republikës së Kosovës mbetet një prioritet i MMPH-së. Po ashtu çështje e rëndësishme për ministrinë tonë mbetet edhe shlyerja e borxhit të akumuluar mbi 1. 5 milion euro që Kompanitë Regjionale të Ujërave kanë ndaj MMPH-së nga viti 2007- 2017”, ka thënë Matoshi.
Po ashtu, gjatë këtij takimi është bërë me dije se Kompanitë Regjionale të Ujërave mundë të pajisen me leje ujore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, vetëm atëherë kur përfundojnë pagesën prej 20 për qind të borxhit për vitin 2017.
Është bërë me dije se në rast të moszbatimit të kësaj marrëveshje, mund tu merret leja ujore këtyre kompanive dhe për pasojë edhe licenca e operimit nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Përfaqësuesit e Kompanive Regjionale të Ujësjellësit gjatë këtij takimi kanë shprehur pajtueshmërinë që borxhi që kanë ndaj MMPH-së të përfundoj në periudhë pesë vjeçare.