Matoshi thotë se cilësia e ajrit është më e mirë se në vitet e kaluara
Cilësia e ajrit në Kosovë po del të jetë më mirë se vitet e kaluara, teksa apelohet edhe më tej që përdorimi i thëngjillit të largohet tërësisht nga tregu.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi për “Ekonomia Online”, ka thënë se vetëdijesimi i qytetarëve është rritur, ku ka bërë që cilësia e ajrit të jetë me pak i ndotur.
“Nëse vëreni statistikat edhe nëse i shihni statistikat që janë publike është lehtë e vërejtshme që dimri 2019-2020 ose kjo periudhë kohore është dukshëm më e mire sesa periudhat e dy tre vjetëve paraprake. Unë besoj që një rol të jashtëzakonshëm në këtë e ka luajtur edhe vetëdijesimi i qytetarëve edhe ngritja e kësaj teme në nivel më të lartë diskutimi që e kemi bërë gjithmonë si ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”.
“Nuk është asnjëherë se i kemi ikur si temë, nuk është se e kemi fshehur para qytetarëve tanë gjendjen e rënduar që e kemi për cilësinë e ajrit në vend, mandej vijnë edhe veprimet konkrete të cilat i kemi ndërmarrë e që është ndalimi i përdorimit të thëngjillit në të gjitha institucionet publike”, ka thënë Matoshi.
Praktika e viteve më parë, që Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), i ka shpërblyer punëtoret me thëngjill falas, Matoshi ka thënë se këtë praktikë kanë arritur ta ndërpresin.
“Një praktikë që ka qenë për me i shpërblyer punëtorët e KEK-ut që janë mbi 3 mijë punëtorë në fundvit me 8 deri 10 ton thëngjill falas e kemi ndërpre edhe atë poashtu. Gjithë ai thëngjill ka përfunduar në treg dhe unë nuk them që kemi mbërri me ndalu plotësisht shitjen ilegale të thëngjillit , duke ndërmarrë këtë veprim ne e kemi pamundësuar daljen e një sasie tepër të madhe të thëngjillit nëpër rrugë për tu shitur e stërshitur”.
“Kam kërkuar në vazhdimësi dhe po besoj që duhet me i ardhur rendi që Ministria e Infrastrukturës më i zbatuar udhëzimin administrativ që ka të bëjë me lirimin e emetimit të gazrave në ajër, nga automjetet që janë në qarkullim e që poashtu mundet me pas një efekt shumë pozitiv”, ka thënë ai.
Një projekt tjetër i rëndësishëm që ndikon në përmirësimin e cilësisë së ajrit është edhe projekti për ndërrimin e filtrave të “Kosovës B”, ku fondet janë të miratuara nga Kuvendi në legjislaturën e kaluar.
Matoshi ka thënë se ky projekt ka kushtuar 78 milionë euro.