Matoshi: VV organizatë antishtet, prodhon dhunë dhe asnjë ide politike – mazhoranca parlamentare me çoroditje e arrogancë
Analisti politik, Halil Matoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, e ka quajtur Lëvizjen Vetëvendosje organizatë antishtet, që i shërben një njeriu për të qëndruar në pushtet.
Duke folur për bojkotin që VV sot i bëri seancës së Kuvendit, ku do të diskutohej për rezolutën për Policinë e Kosovës, ai thotë se VV prodhon dhunë dhe asnjë ide politike.
“Lëvizja Vetëvendosje është organizatë antishtet që i shërben një njeriu për ta mbajtur pushtetin. Kjo organizatë prodhon situata revolucionare, pra dhunë dhe asnjë ide politike civile. Kuvendi është pushteti i parë kurse përfaqësuesit e sovranit në vrap pas liderit suprem, kanë harruar Republikën dhe qytetarët”, thotë Matoshi.
Analisti shton se Qeveria është pa kontroll parlamentar, po ashtu AKI e FSK, teksa shton se çoroditje e arrogancë e VV-së si shumicë po prodhon konflikte e polarizime shoqërore.
“Qeveria e Kosovës së këndejmi është pa kontroll parlamentar dhe po ashtu AKI dhe FSK, ku nga ushtarë të saj bëhet thirrje në rrjetet sociale për zhdukjen e aleatit të Kosovës, Izraelit. Kjo çoroditje e arrogancë e shumicës parlamentare po prodhon veç konflikte e polarizime shoqërore duke e rrënuar demokracinë në autokraci”, deklaron Halil Matoshi./Gazeta Blic/