Matthausi favorizon Liverpoolin për përballjen me Bayernin
Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus, në një analizë për “The Sun” e ka favorizuar Liverpoolin për ndeshjen ndaj Bayern Munchen në Ligën e Kampionëve.
“Për disa vite kam qenë shumë i sigurt për ekipet gjermane, kur ato luajnë kundër rivalëve anglezë në Europë. Por, pas shortit të fundit të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, duhet të pranoj se mund të jetë shumë e vështirë për vendin tim. Të kesh tri përballje mes klubeve angleze dhe gjermane në këtë kompeticion është fantastike. Liverpooli kundër Bayern Munich është një ndeshje e veçantë. Aty kemi kaq shumë beteja. Jurgen Klopp kundër Niko Kovaq, Manuel Neuer kundër Alisson, një ekip që po rritet kundër atij që ndoshta po shkon në drejtimin tjetër. Dhe në sulm, Mohamed Salah, kaq i vendosur për të kompensuar atë që i ndodhi në humbjen e finales së sezonit të kaluar ndaj Real Madridit, kundër Robert Lewandowski”, ka thënë Matthaus.
“Liverpool ka bërë shumë më mirë këtë sezon. Kemi të bëjmë me një ekip me kualitet të lartë, që i shkoi aq afër fitimit të trofeut në sezonin e kaluar dhe e di se çfarë duhet të bëjë. Klopp ka lojtarë me cilësi edhe në stol, të cilët mund të bëjnë dallimin, gjithashtu. Ne pamë të dielën Xherdan Shaqirin, që erdhi nga stoli dhe shënoi dy herë, për ta fituar ndeshjen kundër Manchester United. Klopp ka bërë një punë të mrekullueshme. Me transferimet e tij të mëdha të këtij viti, Alisson, Virgil van Dijk dhe Naby Keita, ka ndërtuar një ekip shumë të mirë, duke shtuar cilësinë dhe stabilitetin. Liverpool është një ekip që mund t’i fitojë trofetë më të mëdhenj. Ka lojtarë të talentuar dhe të motivuar, me personalitet. Bayern Munich do të jetë më mirë, pas pushimit të dimrit, sesa ka qenë deri më tani. Bavarezët duhet t’i rikuperojnë lojtarët e dëmtuar. Por, lojtarët si Jerome Boateng, Mats Hummels dhe Neuer nuk janë ata që ishin. Për mua, Liverpool është favorit i qartë”.