Matthausi kritikon Bayernin
Bayerni luajti një ndeshje tmerrësisht zhgënjyese këtë të shtunë, duke u shpartalluar 3-0 në Mynih nga Borussia Monchengladbach, ndërsa ish-futbollistit legjendar Lothar Matthaus i mjaftoi të shihte vetëm një orë nga ndeshja, për të dhënë verdiktin e tij.
Matthaus, tashmë komentator për “Sky”, arriti në një konkluzion shkatërrimtar: “Përveç ndonjë topi të rastësishëm në zonë, Bayern krijoi shumë pak shanse për shënim dhe diçka e tillë është e pafalshme për një ekip me cilësinë e tyre”.
Problemi kryesor duket mungesa e një skuadre të vërtetë në fushë. “Nuk shoh ndonjë bashkëpunim në fushë”, ka deklaruar Matthaus. Javët e fundit ka pasur zëra për probleme brenda ekipit, me James Rodriguezin që flitet se ka pasur debate me trajnerin Niko Kovaq, por ky i fundit ka përgënjeshtruar gjithçka, duke e quajtur “pozitive” atmosferën. Megjithatë, Matthaus ka dyshime në këtë pjesë: “Nëse sheh ndeshjen dhe sjelljen e lojtarëve, asgjë nuk duket në rregull!”