Mattis: Rusia dhe Kina janë “fuqi revizioniste”
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, i ka quajtur “fuqi revizioniste” Rusinë dhe Kinën dhe tha se në fokus të strategjisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara është ndryshimi nga terrorizmi dhe kthimi kah ajo që ai vlerësoi se është “garë e madhe e fuqive”.
Këto komente ai i ka bërë dje derisa e ka zbuluar Strategjinë e Mbrojtjes Kombëtare të Pentagonit, që është dokument madhor politik, i cili shërben si udhërrëfim për planifikuesit ushtarakë amerikanë gjatë viteve të ardhshme.
Në fjalimin e tij, zoti Mattis ka sinjalizuar se Departamenti i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara po kalon nga fokusi në terrorizëm, që i kishte preokupuar planifikuesit amerikanë për afro 17 vite, prej sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara, më 11 shtator të vitit 2001.
“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë fushatë kundër terrorizmit, por gara e madhe e fuqive, e jo terrorizmi, tash është fokus primar i sigurisë kombëtare të SHBA-ve”, tha Jim Mattis.
Ai theksoi se Rusia dhe Kina janë “fuqi revizioniste” pasi ato synojnë ndërtimin e “një bote në përputhje me modelet e tyre autoritare”.