Mattisi në vizitë të paparalajmëruar në Afganistan
07 shtator 2018
| 11:17
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, ka arritur në Kabul, në një vizitë të paparalajmëruar.
Mattisi, me presidentin afgan, Ashraf Ghani, dhe komandantin e ri të trupave të NATO-s në Afganistan, do të diskutojë përparimin e bërë në bisedimet me talibanët.
Shtetet e Bashkuara, një vit më parë, kanë miratuar një strategji për të rritur presionin ndaj talibanëve, duke shtuar sulmet ajrore dhe duke dërguar mijëra trupa të tjera për të trajnuar dhe këshilluar forcat afgane.
Përpjekjet, megjithatë, nuk kanë sjellë përparim të madh në luftën kundër militantëve për t’i dhënë fund konfliktit 17-vjeçar.
Mattis po shoqërohet nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, Joseph Dunford.