Maturantët sot i nënshtrohen provimit të maturës
Rreth 22 mijë maturantë do t’i nënshtrohen sot provimit të maturës.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.
Kjo ministri bëri të ditur se provimi i Maturës këtë vit do të organizohet në 171 Qendra të Testimit, derisa të angazhuar për mbarëvajtje të procesit janë rreth 1600 administrues.
“Me qëllim që Provimi i Maturës të realizohet sipas rregullave dhe standarteve të përcaktuara, Këshilli Shtetëror i Maturës në takimin e mbajtur sot ka kërkuar nga të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit që të jenë në nivel të përgjegjësive të përcaktuara”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Provimi i Maturës fillon në ora 10:00 dhe përfundon në ora 12:30, ndërsa administruesit duhet të arrijnë në Qendrat e Testimit më së voni në ora 9:00.