Mavraj nderon ish-studentët e protestës së 1 tetorit të ’97-s: Nderime pakufi!
Muhamet Mavraj, njëri nga drejtuesit e Lëvizjes Studentore të ’97-s, me rastin e kujtimit të protestës së 1 tetorit të vitit 1997, ka nderuar ish-studentët të cilët nuk janë më në mesin tonë, por që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në demonstrata dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Fillimisht Mavraj me bashkëpunëtorë ka qëndruar në Mitrovicë. Ai ka bërë homazhe te varri i veprimtarit dhe liderit studentor nga Mitrovica Ali Ahmeti, i cili ka ndërruar jetë një vit më parë. “Nuk të harrojmë Ali Ahmeti! Urime 1 tetorin. Dhe faleminderit për gjithfarë që bërë për Kosovën, në demonstrata e gjatë luftës! (Me unionet e studentëve të Mitrovicës 1997-99, babanë e Aliut, gruan dhe fëmijët, motrat, vëllezërit, shokët)”, ka shkruar Mavraj në “Facebook”.
Pas homazheve të varri i Ahmetit, Mavraj ka nderuar edhe Artim Jasharin, i cili ka rënë në mbrojtje të atdheut. “Nuk të harrojmë trim Artim Jashari! Urime 1 tetorin dhe faleminderit për gjithfarë që bërë për Kosovën, në demonstrata e gjatë luftës! Nderime pa kufi!”, ka shkruar Mavraj.
Pas Mitrovicës, Mavraj ka qëndruar edhe në Prizren. Ai në Korishë të Prizrenit ka nderuar Sedat Kabashin për kontributin e tij në demonstrata. “Nuk të harrojmë Sedat Kabashi! Urime 1 tetorin dhe faleminderit për gjithfarë bërë për Kosovën, në demonstrata e gjate luftës! (Në Korishë, me familjen e ngushtë e të gjerë të Sedatit, Laurën me djemtë, motrat, vllaznitë, ish-Unionin e Prizrenit e plot bashkëluftëtarë. I falënderojmë fort për pritjen e dashurinë për Sedatin!)”, ka shkruar Mavraj.
Në Prizren Mavraj me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe rrugën “1 Tetori” për të nderuar grupin e liderëve studentorë prizrenas. “Prizren. Në këtë rrugë pati një histori të 1 tetorit dhe ky emër i ri mbuloi të vjetrin. Sot jam këtu, në Prizren për ta nderuar grupin e liderëve studentorë prizrenas që vuajti burgje të rënda dhe mbeti dinjitoz. Urime 1 tetorin dhe faleminderit për gjithçfarë bëtë për Kosovën, në demonstrata e gjatë luftës!”, ka shkruar Mavraj.
Po ashtu, Mavraj ka nderuar në Istog edhe shokun e tij, Nazmi Muzliaj, i cili ka rënë dëshmor në mbrojtje të atdheut. “Nuk të harrojmë patriot Nazmi Muzlijaj! Urime 1 tetorin dhe faleminderit për gjithçfarë bëre për Kosovën, në demonstrata e gjate luftës! Mbetesh shok monumental. Nderime pa kufi!”, ka shkruar Mavraj.
Më 1 tetor 1997, Lëvizja Studentore kishte organizuar protesta për të kundërshtuar pushtimin serb në Kosovë si dhe për të rikthyer studentët në objektet universitare, të cilët atëkohë ishin dëbuar nga regjimi serb i cili në krye kishte Sllobodan Millosheviqin. Në ballë të protestës së ’97-s ishin liderët e Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Driton Lajçi dhe Albin Kurti, së bashku me rektorin e atëhershëm të Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci. Pas tyre, në këtë protestë ishin edhe mijëra studentë e profesorë. Lëvizja Studentore e ’97-s është vlerësuar krahu intelektual i lëvizjes çlirimtare i Kosovës nga historianët e njohur të Kosovës.