Mavraj nderon studentët dëshmorë të Llapit (foto)

01 tetor 2024 | 11:37

Njëri nga protagonistët kryesorë të protestës studentore të 1 tetorit të vitit 1997, Muhamet Mavraj, përvjetorin e kësaj proteste e ka nisur me nderime tek varrezat e studentëve dëshmorë të Llapit.

“Kësaj radhe me gjithë zemër 1 tetorin e filluam me nderime në varrezat e dëshmorëve të Llapit ku ka edhe studentë dëshmorë. Ky vend, në Penuhë, të lehtëson shpirtërisht sapo të kalosh traun e varrezave, me rregullin e pashoq, një projekt madhështor, model për trevat tjera.  Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Mavraj në “Facebook”.

Para se të bëjë nderime në varrezat e dëshmorëve në Llap, Mavraj ka takuar gazetarin e hershëm të “Zërit të Kosovës”, Nuhi Paçarizin, kontributin e të cilit e ka vlerësuar lartë.

“Njerëzit shohin vetëm datën e parë, jo çfarë e solli atë dhe çfarë e përcolli në rrugën e gjatë të këtij vendi. Dhjetëra e qindra bashkëndihmues të pazhurmshëm kanë merita fondamentale. Një nga ata është Nuhi Paçarizi, gazetar i hershëm guximtar i ‘Zërit të Kosovës’, veprues i viteve të vështira për të cilat po paguan një faturë serioze shëndetësore.  Së paku dy vite para 1 tetorit 1997 ai dhe drejtuesit e Unikombit, Afrim Morina e Avdi Gjata me bashkëpunëtorë për mua ishin derë e hapur. (Nder tjera, me telefaksin e tyre i kemi shperndarë letrat e para drejt Perëndimit. Ishim ne zero.). Ata pa hezitim përkrahen ringritjen studentore 1997.Nuhiu u emocionua pamatshëm për 1 tetorin dhe ia uroj barabartë sa bashkëdrejtuesve të afërm të kohës. Kemi çfarë e çfarë të kujtojmë”, ka shkruar Mavraj.

Më tutje, ish-kryetari i Kuvendit të Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Muhamet Mavraj, ka nderuar edhe heroin Hakif Zejnullahu, duke thënë se i ka mbetur peng takimi më të.

“Vetëm katër ditë pas rënies së këtij burrit këtu, Hakif Zejnullahut (që ra me Zahirin e Edmondin më 31 janar 1997) morëm nën drejtim organizatën studentore, më 4 shkurt 1997, ndërkohë që përgjatë dy javëve para rënies se tyre,  e terë prapashpina jonë ose ishte arrestuar ose ishte arratisur nga Kosova, me fare pak djelmosha të kthyer në mal. Ende e kam peng takimin që kurrë nuk u bë. Vazhduam në atë atmosferë tepër të rëndë, aq sa mbetem këtu atëherë. Ata nuk ranë kot aq herët! Afër e ka pararendësin trim, Hasan Ramadanin, më tutje pararendësin Hyzri Tallën. Tjerët janë thjeshtë ushtarët e tyre dëshmorë. Dhe, s’ka bota gradë më të larte! Nderime pa kufi!”, ka shkruar Mavraj.

Pas vendprehjes se Hakif Zejnullahut me shokë, Mavraj ka nderuar edhe dëshmorin Bedri Bajrami – Bedi. Ai ka thënë se Bajrami ka bërë shumë për Lëvizjen Studentore të ’97-s.

“Nuk të harrojmë Bedri Bajrami- Bedi! Nuk është hera e parë që e vizitoj vendprehjen e dëshmorit Bedri Bajrami- Bedi, por po të mundja do ta vizitoja çdo ditë. Si student i Edukatës Fizike ka bërë shumë për Lëvizjen e Studentëve, gjithmonë thuajse bashkë me Remin. Më shumë se shpirtin nuk pati çka t’i japë lirisë së kombit. Këtë njeri dhe shokun e rrallë Nazmi Muzlijajn pak kohë para tij, pas takimeve të fundit, i kam shikuar derisa u zhduken nga pamja në kthesat e para. Atdhetarë hakikat! Me ka tejshpu lajmi për rënien. S’doja ta besoja, por Remi e konfirmoi me këtë përgjigje:  ‘Ma thau krahun’! Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Mavraj.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e deritanishëm të Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani dhe Visar…