Mavraj: Ndeshjet e Kosovës i kam parë me lot gëzimi
Mërgim Mavraj ishte një prej yjeve që mori pjesë në ndeshjen e bamirësisë, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare ishte pjesë e skuadrës së Granit Xhakës, e cila barazoi 4-4 kundër asaj ku kapiten ishte Milot Rashica dhe paratë nga të ardhurat e biletave të shitura u shkuan familjeve në nevojë. Në fjalën e tij për “ART Sport”, qendërmbrojtësi foli për Përfaqësuesen e Kosovës.
“Ndeshjet e Kosovës i kam parë me lot gëzimi. Unë jam kosovar, prindërit e mi janë lindur dhe rritur në Kosovë, ndaj më bëhet qejfi që djemtë po i zbatojnë siç duhet detyrat e trajnerit. Lakmi? Jo, aspak! Vetëm mirënjohje për të gjitha të mirat që më ka dhënë Zoti, pasi jam shpërblyer me shumë gjëra. Edhe me Kombëtaren e Shqipërisë kemi arritur shumë gjëra të mira. Unë besoj që të gjithë këto që po gëzohen tani për Kosovën, janë gëzuar disa vite më parë për kuqezinjtë”, ka thënë Mavraj.