Mavraj: Në plan kushtetues, Shqipëria e ka për detyrë të interesohet për të drejtat kombëtare kudo
Publicisti Muhamet Mavraj ka shkruar pas reagimeve që po bëhen këtu në Kosovë kundër iniciativës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili u ka dërguar një draft për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.
Mavraj ka shkruar në “Facebook” se në plan kushtetues, Shqipëria e ka për detyrë të interesohet për të drejtat kombëtare kudo, edhe në Kosovë.
“Askush në Kosovë as në trojet e tjera shqiptare nuk ka të drejtë t’ia përplasë derën Shqipërisë”, ka shkruar ai.
Mavraj ka shkruar se në planin moral, planin human, në rrafshin kulturor jemi i njëjti trup. “Në planin politik e të luftës, është e para në të gjitha kohët. Shpallem pavarësi e referendum herët më 1990, por Shqipëria dhe ShBA-në ishin të parat tërësisht në krah”, ka shkruar Mavraj.
Postimi i Mavrajt:
Askush në Kosovë as në trojet e tjera shqiptare nuk ka të drejtë t’ia përplasë derën Shqipërisë.
Ne të gjithë jemi Shqipni, të ndarë me zor. Kemi endrrën tonë pavarësisht trushpërlarëve ideologjikë të vjetër një shekull.
Në plan kushtetues, Shqipëria e ka për detyrë të interesohet për të drejtat kombëtare kudo, pra detyrë;
Në planin moral, planin human, në rrafshin kulturor jemi i njëjti trup. Në planin politik e të luftës, është e para në të gjitha kohët. Shpallem pavarësi e referendum herët më 1990, por Shqipëria dhe ShBA-ja ishin të parat tërësisht në krah;
I tërë territori i Shqipërisë ishte strehë e territor i luftëtarëve tanë, i ushtrisë së NATO-s gjatë luftës e tutje, i të dëbuarve me forcë gjatë luftës në Kosovë. Është Piemonti ynë dhe me shumë se kaq.
Zoti të ruajtë Shqipni e njefsha mirë për Ty!