![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/03/mavraj.jpg)
Mavraj për planin evropian: U avullua njohja, dëm historik dhe tragjik, por jo i papritur
Publicisti Muhamet Mavraj ka komentuar planin evropian për të cilin kanë arritur pajtueshmëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel.
Mavraj ka thënë se me pranimin e këtij plani “njohja de jure dhe madje de facto, më nuk janë kokëçarje për Serbinë”.
Ndërsa duke folur për asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili është brenda planit, Mavraj ka thënë se Kosova ka pranuar autonomi për komunat e udhëhequra nga serbët.
“Asociacioni (…) kishte dy frena: një të brendshëm, Gj. KUSHTETUESE, dhe një të jashtëm, GARANCIONIN zyrtar te BE-së se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, (Mogerini për Mustafën). Këto pra i kemi! Pse të kërkohen kur i kemi? Po kërkojnë çfarë kanë pështyrë për 10 vjet. Kanë një hall këta: në Bruksel kanë dhënë pajtim për pushtet shumë më të madh sesa asociacioni, autonomi vetëmenaxhuese, që edhe po t’u jepet në këmbim nuk marrim dorëheqjen e Serbisë nga Kosova në të ardhmen. Sa për Statusin e Kishës serbe, nuk po zgjatemi këtu, por do ta harrojmë atë Abazoviqin kur shohim çfarë po pjellet këtu nga tinëzaria tradicionale”, ka shkruar Mavraj në “Facebook”.
Postimi i plotë i Mavrajt:
Njohja de jure dhe madje de facto, më nuk janë kokëçarje për Serbinë. U avullua njohja, madje edhe në letrat e miqve amerikanë në kohen kur në Shtëpinë e Bardhë kemi mikun më të madh të mbetur nga të gjallët. Dëm historik! Dëm tragjik, por jo i papritur! Shpesh kemi fol për këtë çështje këtu me ju miq, në 3-4 vitet e ikura.
Me bëri njëfarë përshtypje rënia nga 6 kushtet e kota për asociacionin në tri të kota, retorike, dje, para publikut vendor, te cilin, ky klubi i stanit po e mendon në nivel bagëtie. Gabohet rëndë!
Shkurtimisht:
Asociacioni (…) kishte dy frena: një të brendshëm, Gj. KUSHTETUESE, dhe një të jashtëm, GARANCIONIN zyrtar te BE-së se ky asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, (Mogerini për Mustafën).
Këto pra i kemi! Pse të kërkohen kur i kemi? Po kërkojnë çfarë kanë pështyrë për 10 vjet. Kanë një hall këta: në Bruksel kanë dhënë pajtim për pushtet shumë më të madh sesa asociacioni, autonomi vetëmenaxhuese, që edhe po t’u jepet në këmbim nuk marrim dorëheqjen e Serbisë nga Kosova në të ardhmen.
Sa për Statusin e Kishës serbe, nuk po zgjatemi këtu, por do ta harrojmë atë Abazoviqin kur shohim çfarë po pjellet këtu nga tinëzaria tradicionale.
Nuk jemi bagëti!
Marrëveshja e Brukselit mbyll përgjithmonë mundësinë e zgjidhjes se konfliktit Kosovë-Serbi. E përsëris: përgjithmonë! Ngrihet! Për këtë ngrirje investoi shumë Serbia, këtu e kahmos.
Në rastin e parë të volitshëm ajo ruan të drejtën e kthimit në Kosovë, në të ardhmen, sepse në të tashmen askund nuk heq dorë nga Kosova. Tapinë për vete, ti grahi makinës kah të lejohet. Nuk lëviz legjislacioni i saj i brendshëm nga letrat e Brukselit, pra as Kushtetuta serbe, madje as emrin zyrtar të Kosovës nuk detyrohet ta njohë (pavarësisht simboleve, letërnjoftimeve e të tjera të nënshkruara vite më parë, përfshirë pasaportat ne aeroport, diplomat, etj.).
Ndërkohë, spastrimi etnik i Kosovës po vazhdon vrullshëm dhe çdo ligj a politikë e re e këtij klubi qeverisës po e përshpejton largimin e shqiptarëve nga Kosova!
Megjithatë, shpresa të mos humbet kurrë!
(Te drejten e botimit ia jap “Epokes se re”. Miqte jane te lire ta komentojne e shperndajne ne profilet e tyre)