Mavraj: Reja është si babai ynë
Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj është rikthyer në kampion kuqezi. Ai ka folur para medieve për shumë çështje, përfshi edhe trajneri e ri Edy Reja. “Duket simpatik, i qetë. Është si babai ynë. Është i buzëqeshur dhe i sjellshëm, nga ana taktike nuk e vlerësoj dot ende”, ka thënë Mavraj.
Rikthim pas pezullimit, shumë gjëra kanë ndryshuar…
Mavraj: Ka ndryshime të rëndësishme. Më duhet pak kohë t’i analizoj këto ndryshime dhe akoma nuk mund të jap një mendim, si ka ndryshuar për mirë apo keq. Gjëja e parë që më bëri përshtypje ishte grupi i madh. Kur u futa nuk e gjeta ulësen time. Para ndeshjes me Skocinë kemi qenë të fokusuar. Tani kemi ardhur nga kampionati. Disa lojtarë kanë probleme. Akoma nuk e kemi përqendrimin. Me udhëtimin fokusi do të jetë më ndryshe.
Përshtypjet e para për Rejën?
Mavraj: Duket simpatik, i qetë. Është si babai ynë. Është i buzëqeshur dhe i sjellshëm, nga ana taktike nuk e vlerësoj dot ende.
Koha në Greqi?
Mavraj: Ka kaluar shumë kohë, i kam harruar. Besoj që ka qenë eksperiencë e mirë për mua. Jashtë futbollit ka qenë periudhë e mirë, kam njohur dhe shumë shqiptar. Për sa i përket futbollit kanë qenë shumë dallime të mëdha me futbollit gjerman, nuk i përballoja dot.
Ku do të jeni sezonin e ardhshëm?
Mavraj: Do të jem maksimalisht i fokusuar dhe i motivuar. Ku do të luaj nuk është vetëm në dorën tonë. E ndjej veten mirë dhe do të gjejmë zgjidhjen e duhur. Nuk ka qenë vetëm dështim. Erdha në janar te ekipi ku jam dhe duke pasur parasysh këto 6 muajt e mia, nuk ka qenë një vit jo i pasuksesshëm pavarësisht rënies nga kategoria. Kanë ndodhur shumë gjëra, por për mua ka rëndësi që i dola zot kësaj situate. E kalova këtë fazë me vetëbesim.
Mund të jemi në ato nivele që kemi qenë?
Mavraj: Liga e Kombeve na eci keq. Të gjithë s’kemi qenë të kënaqur me paraqitjet tona. Po u përmirësuam nga loja do të vijnë edhe rezultatet. Ka pasur shumë ndryshime kohët e fundit. Duhet të afrohemi edhe më shumë njëri me tjetrin. Rezultati vlen në futboll, nuk e kemi pasur, por i kemi cilësitë. Është momenti i duhur për të lënë të kaluarën pas. Do të kemi një shans të vërtetë.
Si do të këshillonit shokët për takimin e Islandës?
Mavraj: Edhe në kohën e Canës, ka qenë ekip homogjen, i fortë, 11 luftëtarë. Grupi si grup e ka përgjegjësinë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Tani që nuk do të jem në fushë, këtë ndeshje, do tu jap vetëbesim. Do të na shërbejë të gjithëve për të ardhmen. Çdo ekip i suksesshëm ka 11 lidera, nuk është vetëm 1.
Është i vështirë qershori për të përgatitur një ndeshje?
Mavraj: Besoj që ka dallim të madh. Ndeshja në qershor ka rëndësi nëse është miqësore apo për pikë. Në fund të kampionatit gjithçka mbyllet dhe e ke të vështirë të luash prapë. E kemi të vështirë të fokusohemi. E presim me kënaqësi grumbullimin. Në qershor gjithmonë kur kemi pasur miqësore kanë qenë katastrofë. Premtimi kryesor do të jetë që do të mundohemi me shpirt e me gjithë dëshirë t’i kënaqim të gjithë.