Mavraj shqetëson Ingolstadtin dhe Shqipërinë
Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Mërgim Mavraj i graduar edhe kapiten së fundmi, nuk ishte në fushë në takimin që Ingolstadti fitoi me Duisburgun dhe do të vijojë të mungojë. Shkak është bërë një dëmtim i pësuar.
Konkretisht ai ka thyer dy kocka pranë legenit dhe pret të rikthehet muajin e ardhshëm. Një përplasje në ndeshjen me Sandhausen ka sjellë këto pasoja te shtatlarti i mbrojtjes kuqezi.
“Të them të drejtën, nuk e dimë saktë se kur mund të kthehem në fushë. Jam duke shtrënguar dhëmbët, shpresoj të kem përmirësim, sepse në këtë moment nuk luaj dot”, ka thënë Mavraj për “Telesport”. “Po bëj injeksione dhe jam duke u stërvitur, edhe pse me ngarkesë jo të plotë dhe duke bërë shumë kujdes. Mjekët më kanë thënë që dhimbjet do ikin me kalimin e kohës, por vështirë se mund të kthehem në fushë deri në fund të prillit. Për 2-3 javë ndoshta do të më duhet të qëndroj jashtë, pastaj do të bëj gjithçka për të luajtur”, ka deklaruar Mavraj.