Maxhera: T’i bëjmë tifozët tanë krenarë
KH Trepça është fituese në fuqi e Kupës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Një vit më parë në finalen dramatike, Trepça kishte mposhtur Besa Famgasin.
Skuadra mitrovicase të shtunën luan në gjysmëfinale ndaj Kastriotit. Ndeshja zhvillohet në palestrën “Karagaçi” në Pejë nga ora 18:00.
Kapiteni i Trepçës, Sali Maxhera, thekson se në Pejë do të udhëtojnë të përkushtuar për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të bëjnë krenarë tifozët mitrovicas.
“Jemi duke u përgatitur maksimalisht. Do të japim 100 për qind nga vetja që t’i gëzojmë tifozët tanë, ashtu si bëmë një vit më parë. Është turneu final dhe nuk do të jetë lehtë. Janë katër skuadrat kryesore në garë. Por shpresojmë të mbrojnë kupën e fituar. Fillimisht i gjithë fokusi është te gjysmëfinalja e së shtunës”, ka theksuar pivoti Maxhera.